FRANCA 2017
Botërori i hendbollit, 11-29 janar 2017
10 January, 2017 @20:39
Që nga dita e nesërme, në Francë fillon të mbahet kampionati botëror i hendbollit.
24 skuadra të ndara në katër grupe do të luftojnë për titullin e kampionit të Botës, titull i cili do të përcaktohet në finalen e 29 janarit.
GRUPI A: Franca, Polonia, Rusia, Brazili, Japonia dhe Norvegjia
GRUPI B: Spanja, Sllovenia, Maqedonia, Islanda, Tunizia, Angola
GRUPI C: Gjermania, Kroacia, Bjellorusia, Hungaria, Kili, Arabia Saudite
GRUPI D: Katari, Danimarka, Suedia, Egjipti, Bahreini, Argjentina
Favoritët - Analizë:
Kampioni në fuqi i Botës dhe 5 herë kampioni i Botës, Franca, që është edhe nikoqire e turneut, do të jetë pjesë e grupit A dhe sipas analistëve, shihet si favorite për ta fituar titullin kampion. Francezët nuk kanë probleme me lëndime, ndërsa në radhët e veta kanë disa nga lojtarët më të mirë në botë si Nikola Karabatic e Thierry Omeyer. Franca i ka fituar 3 nga 4 kampionatet e fundit botërore dhe gjithashtu në 3 olimpiadat e fundit i kanë fituar 2 tituj. Në Olimpiadën e fundit, që u mbajt në Rio, Franca ishte nënkampione. Kjo ecuri pozitive e viteve të fundit bën që Franca të jetë favorite edhe në këtë Botëror.
Polonia në këtë kampionat vjen me mungesa. Szyba, Jurecki, Paczkowski e Syprzak do t’i mungojnë kombëtares polake, e cila olimpiadën e Rios e mbylli në vendin e katërt.
Kombëtare e njohur për hendboll të mirë është edhe Danimarka, kampione olimpike në Rio dhe 2 herë kampione në 5 kampionatet e fundit botërore. Përkundër mungesës së të mirënjohurit Rasmus Lauge, Danimarka ka në radhët e veta hendbollistin më të mirë të vitit të kaluar, Mikkel Hansen. Kur shohim Katarin të braktisur nga të huajt, me vetëm portierin 39-vjeçar Danijel Saric në radhët e veta, parashikohet që Danimarka ta kalojë pa probleme Grupin D dhe gjithashtu është favoriti i dytë për ta fituar kampionatin pas Francës.
Shteti me ligën më të popullarizuar në botë të hendbollit, Gjermania, vjen me shumë lëndime në këtë kampionat. Gjermanët janë pa lojtarë si Wiede, Weinhold e Dissinger, ndërsa fakti që ishin të bronztë në Rio, bën që edhe emri i Gjermanisë të përmendet tek skuadrat favorite, pas Danimarkës e Francës.
Kur jemi te shtetet ballkanike, nderin ballkanas në Botë e mbron Maqedonia, e cila momentalisht ka një skuadër tejet të mirë. Gjithashtu, me hendboll të mirë njihet edhe Kroacia. Sa i përket Sllovenisë, sllovenët sivjet paraqiten me një skuadër relativisht të re, pa harruar ta përmendim Veselin Vujovicin, ish-lojtari më i mirë në botë.
Kampionati hapet nesër me fillim nga ora 20:45, me nikoqirin Francën që luan ndaj Brazilit.