Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AVENTURA E TRETË — E VËRTETË

Dardan Berisha zyrtarisht rikthehet te KB Peja

Dardan Berisha zyrtarisht rikthehet te KB Peja


20 October, 2024 @16:33

Hera e tretë! Lojtari më i mirë i Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, është rikthyer për të tretën herë te ekipi i qytetit të tij KB Peja. Pas aventurës në stinorin 2012/13 dhe stinorëve 2019-22 basketbollisti aktualisht 35 vjeçar është zyrtarizuar nga KB Peja sot.

Dardan Berisha që ka karrierën më të suksesshme basketbollistike nga basketbollistët e Kosovës, është bërë përsëri pjesë e Pejës, pasi që ka arritur të regjistrohet si lojtar i lirë i stinorit 2024/25.

Peja ka shkruar shkurt në njoftimin e dhënë për këtë përforcim madhor. “E diela sportive, dhia është zyrtarisht pjesë e KB Peja.” Dhia në kuptimin e G.O.A.T. - të lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave në vend (nga anglishtja).

Në dy stinorët e fundit, ai ishte pjesë e Prishtinës. Luajti me mesatare prej 14.9 pikëve, 3.2 asistimeve dhe 3.1 kërcimeve për ndeshje në stinorin që e lamë pas. Nuk vazhdoi marrëveshjen me Prishtinën në stinorin 2024/25—- ndërsa për herë të parë edhe nuk u regjistrua për këtë stinor si lojtar i ndonjërit ekip. Përndryshe, ekipi pejan nuk ka bërë të ditur më shumë për llojin e marrëveshjes dhe afatgjatësinë e kontratës së nënshkuar me reprezentuesin e Kosovës.

Dardan Berisha @ Peja

E Peja, pas të gjitha përfoljeve, arriti ta kthejë atë në ekip dhe tashmë nën drejtimin e Daniel Nelsonit në ekipin verdhezi nga “Karagaçi”, Dardani i kthehet Superligës dhe garave vendore — me detyrë të këndelljes së Pejës.

Peja përndryshe, pas katër xhirove të para u nda me trajnerin Rami Hadar. Ndërsa pasi për një ndeshje të mbetur u drejtua nga ndihmësi Diego Velasco, ka zyrtarizuar irlandezin Nelsson si trajner të ri të ekipit, i cili thuhet të jetë përzgjedhur me rekomandim të ish-trajnerit të ekipit, Hadar.

Pas gjashtë xhirove të para të stinorit Peja ka bilanc 2-4. Ndërsa ka regjistruar tre humbje në tre xhirot e fundit — të gjitha duele të forta, ndaj Yllit, Prishtinës e Trepçës. Në xhiron e radhës, të shtatën, që shënon edhe fundin e ciklit të parë të ndeshjeve të Superligës Peja pret Bashkimin e pamposhtur këtë stinor. E i gjithë “Karagaçi” pret me entuziazëm të madh kthimin në fole të Berishës, me të cilin mëtohet që të rikthehen te fitorja dhe forma e mirë për këtë edicion të garave.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga