FORMULA 1
Dominimi absolut i Red Bullit, rekord i ri në Formula 1
23 July, 2023 @16:42
Për herë të parë në histori të Formula 1, një skuadër ka fituar 12 gara me radhë!
Ky rekord i ri u vendos sot, pasi Red Bulli dominues absolut fitoi edhe një tjetër garë, atë të Hungarisë. Rekordi deri më sot mbahej nga skuadra e McLaren, që kishte fituar 11 gara me radhë.
Fitues i garës së sotme ishte i zakonshmi Max Verstappen, që po shkon lehtësisht drejt titullit kampion, ndërsa pas tij përfunduan Lando Norris dhe Sergio Perez. Personalisht për Verstappenin kjo ishte gara e shtatë me radhë që e fiton.
U mendua se gara e sotme do të ishte më interesante, pasi që Lewis Hamilton përfundoi i pari dje në kualifikime dhe e nisi i pari sot garën, por Verstappen e mori vendin e parë me të filluar gara dhe nuk e lëshoi më atë deri në fund. Hamilton garën e përfundoi në vendin e katërt.
Më të zhgënjyerit e ditës së sotme padyshim që janë garuesit e skuadrës Alpine. Garuesit Ocon e Gasly u përplasen mes vete në xhiron hapëse të garës dhe që të dy dolën nga gara menjëherë.
Kështu, në një prej sezoneve jo fort interesante në Formula 1, titulli i Verstappenit mbetet vetëm çështje kohe.
Gara e ardhshme zhvillohet fundjavën e ardhshme në Belgjikë.