Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MotoGP

Ducati dominon në Çeki

Ducati dominon në Çeki


5 August, 2018 @15:03

Andrea Dovizioso ka shënuar fitoren e parë në Çeki duke përfunduar garën i pari, para kolegut të tij nga Ducati Team, Jorge Lorenzo. Është hera e dytë këtë sezon që Ducati merr dy pozitat e para në një garë, pas Italisë ku pozitat ishin të ndërruar ndërmjet këtyre dyve. Për Dovin është kjo fitorja e dytë këtë sezon pas triumfit në Doha.

Pozita e tretë i takoi Marc Marquezit i cili udhëheq në renditjen e përgjithshme me 181 pikë, para Valentino Rossit me 132 pikë, dhe Doviziosos me 113. Rossi sot përfundoi i katërti para Cal Crutchlow, të cilin e kaloi në metrat e fundit të garës.

Në kategorinë e motoçikletave deri në 250cc, Miguel Oliveira siguroi fitoren e parë në Çeki në këtë kategori, duke marrë edhe kryesim e renditjes së përgjithshme nga Francesco Bagnaia. Italiani përfundoi i treti pas bashkëkombësit, Luca Marini, dhe tani mbetet dy pikë larg portugezit Oliveira i cili udhëheq me 166 pikë në renditjen e përgjithshme. Alex Marquez ndonëse nuk përfundoi garën mbetet i treti me 113 pikë.

Gara në 125cc ishte ndër më të mirat të këtij sezoni me plot tetë motoçiklistë në luftë për fitore. Pesë nga ta ishin në krye të garës në rrethin e fundit, ku në fund Fabio Di Giannantonio doli të marrë fitoren e parë të sezonit. Aron Canet për të katërtën herë këtë sezon mbeti i dyti duke vazhduar etjen për fitore, gjersa vendasi Jakub Kornfeil siguroi podiumin.

Kolegu i Kornfeil nga PruestiGP, Marco Bezzecchi me pozitën e gjashtë sot ngjitet në krye të renditjes së përgjithshme me 133 pikë, tri më shumë se Jorge Martin i cili pas lëndimit të dorës në stërvitje ishte kthyer në Barcelonë për ndërhyrje kirurgjike e cila nuk dihet sa do ta mbajë jashtë garave.

Gara e radhës zhvillohet të dielën e ardhshme në Austri, ku vitin e kaluar kishin fituar Dovizioso, Morbidelli, dhe Mir.


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera