ROLAND GARROS
E kujt është Franca?
26 May, 2019 @17:41
Roger Federer kthehet pas katër viteve në Roland Garros, por maksimumi që mund të bëjë është të shikojë se a do t’i afrohet Nadal në dy Grand Slam më pak, apo Novak Djokovic do të ngushtojë distancën në katër. Shanset për titullin e 21të në Grand Slam për zviceranin janë zero!
Kjo bazuar në rezultatet e sezonit në argjilë në të cilën Federer është eliminuar dy herë në çerekfinalet e Romës dhe Madridit. Këta Masters turne u kanë takuar Djokovicit dhe Nadalit. Serbi ishte finalist në Romë pas fitores në Madrid, gjersa në Monte Carlo GFognini kishte befasuar të gjithë me titullin e tij të parë Masters.
Deri në çerekfinale, Djokovic ka rrugën e pastër, ngjashëm si Nadal. Federer në anën tjetër, si bartës i tretë mund të rrezikoj çerekfinalen nëse ndeshet me Schwartzman, i cili nuk ka arritur ta përkthej suksesin e tremujorit të parë edhe në argjilë. Gjysmëfinalja në Romë i kthen vetëbesimin, ngjashëm si përvoja e tij në Roland Garros.
Zhgënjyes ka qenë sezoni i deritashëm i Dominic Thiem. Vetëm dy turne dhe të dyja të përfunduara në çerekfinale nuk janë shenjë mbresëlënëse nga austriaku i cili premtonte një sezon fantastik pas fitoreve në Miami e Dubai e finales në Indian Wells. Thiem ka short të mirë dhe në çerekfinale mund të takohet me del Potron nëse argjentinasi kalon Jarryn i cili ishte mjaft problematik për Zverevin në Gjenevë.
E Sasha Zverev ka pasur sezon të tmerrshëm ndonëse fitoi Gjenevën këtë javë. Gjermani do të ketë punë me Fogninin për të siguruar çerekfinale, ndonëse në sektorin e tij Bautista Agut është ai që mund t’u prish hesapet favoritëve.
E emri që mund t’u bëj telashe Djokovicit e Nadalit për titull mbetet të jetë Stefanos Tsitsipas. Greku, gjysmëfinalist i Australian Open ka patur sezon të shkëlqyeshëm në argjilë duke fituar në Estoril, humbur finalen në Madrid dhe gjysmëfinalen në Romë. Njërën humbje e ka nga Djokovic, tjetrën nga Nadal, që megjithatë pakëson shanset për një befasi në Paris.
Tek femrat duhet të jenë një fron më i hapur.
Eliminimi në rrethi ne parë i Kerber s’do të duhej të befasonte askënd pas pranverës së kobshme të saj. E pranverë më të mirë se Kiki Bertens nuk ka pasur askush.
Holandezja, bartëse e katërt, vjen pas fitores në Madrid dhe gjysmëfinaleve në Romë e Shtutgart. Nëse gjithçka shkon sipas planit mund të kemi një duel të sajin me Belinda Bencic në çerekfinale në njërin prej dueleve të tenisteve më në formë të këtij viti.
Bartësja e parë, fituesja e US Open e Australian Open, dhe finalistja e vitit të kaluar, Naomi Osaka nuk ka pasur ditë të mira në argjilë. Gjysmëfinale në Romë e Madrid, çerekfinalja në Shtutgart mund të duken si formë e dobët, por japonezja gjithmonë dinë të shfaqë formën më të mirë në garat e mëdha. Kjo i mungon çekes Karolina Pliskova. Fitorja në Romë mund t’i shtrojë rrugën për tek titulli i parë Grand Slam, por megjithatë mbetet një mision i rëndë për të. Johanna Konta ka rigjetur formën këtë pranverë me dy finale në Rabat e Romë, por shorti e ka vendosur në sektorin e Bencic e Bertens.
Simona Halep mbetet ndër favoritet e zakonshme ndonëse nuk ka qenë në formë të mirë, sidomos në argjilë ku ka luajtur vetëm në Madrid – finale, dhe në Romë - rrethi i dytë. Serena Williams gjithmonë ka qenë favorite dhe nuk duhet të përjashtohet nga rrethi i ngushtë, por s’do ta ketë të lehtë. Muguruza e Azarenka janë nga emrat me përvojë që mund të befasojnë.
E nga talentet të cilat janë në formë dhe mund të befasojnë me tenis të bukur janë Maria Sakkari e Bianca Andreescu. Kjo e fundit nuk ka qenë e pranishme në sezonin në argjilë dhe mbete të shihet si do të gjejë veten. E ngjashëm si Pliskova, edhe Svitolina e ka radhën të dëshmohet në Grand Slam.