RAMI HADAR NUK ËSHTË MË TRAJNER I KOSOVËS
Edhe zyrtarisht, Rami Hadar nuk është më përzgjedhës i Kosovës
8 October, 2024 @14:11
Strategu 57 vjeçar i basketbollit, Rami Hadar nuk është më përzgjedhës i Kosovës në basketboll. Atë që përfolej një ditë më parë, edhe zyrtarisht e bëri të ditur FBK-ja sot, përmes një njoftimi të lëshuar në llogaritë e saja në rrjete sociale.
FBK ka bërë të ditur se Hadar ka dhënë dorëheqje për shkak të arsyeve personale, ndërsa i njëjti kishte shprehur pakënaqësinë e tij me referimin në ndeshjen e fundit që e drejtoi me KB Pejën në fundjavë, kur ekipi i tij u mposhtë nga Ylli. Në atë deklaratë, Hadar bëri të ditur se personat që mirren me basketboll në Kosovë duhet t’i hapin sytë me ato që po ndodh gjatë ndeshjeve dhe me vendimet si dhe delegimin e gjyqtaraëve.
Kjo deklaratë e tij, veçse dha sinjale që trajneri izraelit ka të mbushur kupën e tij dhe është gati të ndërprejë marrëveshjen me KB Pejën, ku punonte gjithashtu si trajner. Një ditë pas njoftimit të Pejës që ndau rrugët me Hadarin, pasoi edhe kjo e sotmja e FBK-së.
“Rami Hadar ka dhënë dorëheqje për arsye personale si përzgjedhës i Kosovës A te meshkujt.
Hadar ishte emëruar përzgjedhës i Kosovës në maj të vitit 2023.
Ai udhëhoqi Dardanët në parakualifikimet e Eurobasket 2025, në përballjet me Zvicrën dhe Danimarkën, duke pasur dy fitore dhe dy humbje. Kosova shënoi dy fitore ndaj Zvicrës, si dhe pësoi nga Danimarka.
Gjithashtu Hadar ishte trajner i Kosovës në dy ndeshjet parakualifikuese për Kupën e Botës 2027, ku Kosova fitoi ndaj Irlandës dhe pësoi nga Azerbajxhani.
Hadar ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, duke ju dëshiruar suksese në të ardhmen.
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka pranuar dorëheqjen e tij.
FBK falënderon trajnerin Rami Hadar për angazhimin e tij dhe i dëshiron suksese në karrierë.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka filluar negociatat me trajnerë potencial për të udhëhequr Dardanët, ku përzgjedhësi i ri pritet të emërohet shumë shpejt. Ndërkohë, ndeshjet e ardhshme për Dardanët janë në muajin nëntor, kundër Zvicrës dhe Irlandës për parakualifikimet e Kupës së Botës 2027.” - ka qenë njoftimi i plotë i FBK-së lëshuar sot.