FRANCE 2017 - DITA 13
Eliminime të papritura, kuptohen çerekfinalistët
23 January, 2017 @12:40
Pas grupeve që u mbyllën pa ndonjë befasi të madhe, befasitë në Kampionatin Botëror të Francës kanë filluar me të nisur faza e eliminimit direkt.
Pas Francës, Norvegjisë, Spanjës dhe Sllovenisë që u kualifikuan një ditë më parë, dje kualifikimin e kanë siguruar edhe 4 skuadra të tjera, për t’i kompletuar kështu të gjithë çerekfinalistët.
Mund të thuhet lirisht që dje isha dita më e bukur e Kampionatit Botëror, të paktën deri më tani, me përfaqësuen hungareze e atë të Katarit që dhuruan spektakël dhe shkaktuan befasi të dorës së parë.
Hungaria e eliminoi përfaqësuesen e Danimarkës, fituesen e Olimpiadës së fundit, e cila ishte favorite absolute në këtë takim, madje emri i saj përmendej krahas shteteve favorite për të kaluar të paktën në gjysmëfinale. As golat dhe paraqitja fenomenale e hendbollistit më të mirë në botë, Mikkel Hansen, nuk i kryen punë Danimarkës mbrëmë, me përfaqësuesen hungareze që në portë kishte një super Roland Mikler, i cili takimin e mbylli me plot 38 pritje, duke qenë kështu arsyeja kryesore e kualifikimit të hungarezëve.
Kur jemi te befasitë, befasi të madhe shkaktoi edhe Katari. Përfaqësuesja e Katarit që në këtë Kampionat ishte pa shumë lojtarë të natyralizuar që i kishte zakonisht në kampionatet e tjera, e eliminoi dje kampionin në fuqi të Evropës, Gjermaninë, në një takim ku përsëri në sy ra portieri i Katarit, i vetmi i natyralizuar, Danjel Saric. Saric zhvilloi paraqitje fantastike, ndërsa për t’u përmendur padyshim që është edhe Rafael Capote, MVP i takimit me 9 gola të shënuara.
Në dy takimet e tjera, Suedia nuk lejoi befasi ndaj Bjellorusisë dhe gjithashtu Kroacia u kualifikua me fitore ndaj Egjiptit.
Kështu, lista e plotë e skuadrave çerekfinaliste duke kështu: Franca, Norvegjia, Spanja, Sllovenia, Hungaria, Katari, Suedia dhe Kroacia.
Çiftet çerekfinale luhen nesër (24 janar), derisa skema e play-offit është paraqitur më poshtë: