EHF
Eliminohet Besa
Teksti: FHK
13 October, 2015 @9:56
Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famiglia, është ndalur në rrethin e dytë të Kupës së EHF-së. Skuadra pejane të shtunën e të dielën u përball me skuadrën norvegjeze OIF Arendal dhe humbi me rezultat të përgjithshëm 65:43. Ndeshjet u luajtën në Orendal të Norvegjisë. Ndeshja e parë e luajtur të shtunën mbrëma u fitua nga OIF Arendali me rezultatin bindës, 34:18. Ndërkohë ndeshja e dytë e luajtur të dielën mbrëma përfundoi me rezultat më të ngushtë, 31:25. Pjesa e parë e ndeshjes u fitua nga norvegjezët me rezultatin 16:13.
Më i miri te Besa ishte kroati Ante Kukrika me gjashtë gola. Pesë gola i pati Jon Muqolli, ndërsa nga katër gola i shënuan Goran Biljaka, Bajram Idrizi e Kastriot Jupa. Dy gola realizoi Drilon Tahirukaj. Te skuadra norvegjeze u dallua Eirik Koepp me shtatë gola.
Kështu Besa nuk shkon përtej suksesit të arritur edicionet e kaluara. Besa në shtatë pjesëmarrjet e para në gara evropiane u ndal që në rrethin e parë. Në dy edicionet e kaluara kaloi nga një rreth garash. Në edicionin 2013/14 Besa kaloi një rreth në Challenge Cup, ndërsa në dy edicionet e fundit nga një rreth në EHF Cup, që është nivel më i lartë dhe niveli i dytë i hendbollit evropian të klubeve. Asnjë skuadër kosovare nuk ka kaluar më shumë se një rreth garash në Kupa Evropiane. Madje edhe kjo është arritur rrallë.
Në fakt Besa ishte thuajse e dorëzuar ende pa nisur ndeshjet. Fakti që dy ndeshjet u luajtën në Norvegji dëshmoi se Besa ka pak shpresë për të mposhtur Orendalin, që është ndër ekipet më të mira në Norvegji. Në rrethin e parë të Kupës së EHF-së, Besa e eliminoi Fregata Burgasin e Bullgarisë.
Në Norvegji, Besa pati përkrahjen edhe nga tifozë shqiptarë, por humbjet ishin të pashmangshme. Niveli i hendbollit norvegjez vlerësohet dukshëm më i lartë se ai i hendbollit kosovar.