VOLEJBOLL

Ferizaj, finalisti i dytë i Kupës në volejboll
7 April, 2021 @22:10
KV Ferizaj ka shënuar fitore në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në volejboll, pasi e mposhti KV Golden Eagle Theranda me rezultat 3:0.
Seti i parë ishte periudha më rivalizuese e kësaj gjysmëfinaleje, ku ferizajasit me vështirësi arritën të triumfojnë 25:23, për të siguruar epërsinë e parë në sete.
Në setin e dytë Golden Eagle Theranda rezistoi deri në kuotën e 20 pikëve, por që ishin të pamjaftueshme për të rrezikuar fitoren e Ferizajt edhe në këtë set, prej 25:20.
Periudha e tretë ishte më e errëta në paraqitjen e skuadrës nga Suhareka, e cila nuk arriti më shumë se 14 pikë, duke i mundësuar Ferizajt fitore prej 25:14.
Ferizaj fiton biletën për në finalen e së enjtes, ku takohet me Pejën, e cila në gjysmëfinalen e parë të së mërkurës e eliminoi KV Dritën.
Finalja e Kupës së Kosovës në volejboll te djemtë, zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK1 nga ora 15:00.