WIMBLEDON
Finale fantastike, Nole fiton Wimbledonin
14 July, 2019 @19:29
Pamë një prej finaleve më të mira të Grand Slameve të viteve të fundit!
Novak Djokovic dhe Roger Federer dhuruan një spetakël për rreth 5 orë, e në fund fitores iu gëzua Nole, i cili u tregua më i vëmendshëm në momentet vendimtare të ndeshjes, e cila u vendos me tie break pas setit të pestë.
Ndeshja filloi ngushtë, me setin e parë që u mbyll 7-6 për Nolen, e më pas Roger reagoi mirë, duke e fituar setin e dytë 6-1, për ta barazuar ndeshjen. Edhe seti i tretë u fitua njëjtë si i pari, 7-6, nga Nole, derisa Roger çoi gjithçka në setin e fundit pasi triumfoi 6-4 në setin e katërt.
E seti i pestë ishte i mrekullueshëm! Të dy teniserët zhvilluan paraqitje fenomenale, ndërsa momentet për t’u veçuar ishin fillimisht rikthimi i Federer nga 4-2 në 4-4, e më pas shpërdorimi i dy Championship Points pikërisht nga zvicrani Federer, gjë që iu revanshua më vonë, me Nolen që nuk lëshoi terren deri në fund dhe arriti të fitojë 7-3 në tie break, me setin e pestë që u mbyll 12-12, shifra që tregojnë qartë se çfarë loje fantastike u zhvillua mes teniserëve.
Kështu, Nole e fiton për herë të pestë Wimbledonin dhe stoliset me Grand Slamin numër 16 në karrierë, kurse 37 vjeçari Federer, që sot luajti për herën e 31-të në një finale të Grand Slameve, mbetet me 20 Grand Slame të fituara.
Si fitues i Wimbledonit, Nole shpërblehet me 2.35 milionë dollarë amerikanë, kurse Federerit si nënkampion i takojnë 1.175 milionë.