KARATE

Fortesa Orana po përgatitet në Dubai për garat ndërkombëtare në karate
14 April, 2021 @16:22
Karateistja jonë, Fortesa Orana, po i vazhdon përgatitjet në kampin përgatitor ndërkombëtar, që po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Orana po përgatitet atje për garat e ardhshme ndërkombëtare të karatesë të vlefshme për pikë olimpike, si Premier Liga e Lisbonës, që mbahet prej 30 prill – 2 maj, Kampionati Evropian në Poreq të Kroacisë, prej 18-23 maj, si dhe gara kryesore, ajo për kualifikim direkt në LO Tokio 2020, e cila mbahet prej 11-13 qershor në Paris të Francës.
Udhëheqës i kampit është trajneri i Kombëtares së Azerbajxhanit, Denys Morozov, ndërsa pjesëmarrës janë 15 shtete, ndër ta edhe medalistë evropianë e botërorë.
Fortesa në këtë kamp po përgatitet bashkë me trajnerin e saj, Shkëlzen Balaj, ndërsa shpenzimet po i mbulon Komiteti Olimpik i Kosovës, bazuar në vendimin e Bordit Ekzekutiv, për mbështetje të 20 sportistëve elitarë, në rrugën drejt Lojërave Olimpike Tokio 2020.