MADHËSHTORE — LOJËRAT MESDHETARE "PRISHTINA 2030"
Kosova me arritje historike! Nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030
8 September, 2023 @20:25
Shteti i Kosovës ka arritur që të sigurojë njërën ndër ngjarjet më të mëdha sportive në Evropë, duke u bërë edhe zyrtarisht nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Kjo u vendos sot në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të LM që u mbajt në Heraklion të Greqisë, ndërsa prezent ishin prej kryeministrit Albin Kurti, deri te Ministri i Sportit Hajrulla Çeku me ekipin e tij si dhe kreu i KOK-ut Ismet Krasniqi.
Para miratimit, Asambleja ndryshoi një rregullore që ndalonte shtetet pa dalje në det të organizonin LM. E kjo, edhe zyrtarisht hapi rrugën që Kosova të fitojë nikoqirllëkun.
Gjatë votimit, prej 66 delegatëve të pranishëm 55 votuan për, 8 ishin kundër ndërsa 3 abstenuan që Prishtina si qytet të merr organizimin e ngjarjes madhore, ku marrin pjesë sportistë nga 26 shtete 10 prej të cilave nuk e njohin Kosovën!
Kosova pritet të investojë 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore sportive, ndërsa Prishtina 2030 do të jetë edicioni i XXI i LM. Mundet e Serbisë për ta blllokuar këtë proces, kanë kaluar pa sukses.
“Lojërat Mesdhetare 2030 do të mbahen në vendin tonë!
Një histori e shkruar jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Lojërat Mesdhetare!
Kosova bëhet për herë të parë shteti që do të organizojë këtë ngjarje me shtrirje gjithëterritoriale. Për herë të parë do të ketë Lojëra Mesdhetare në një shtet pa dalje në det dhe për herë të parë ky organizim do të realizohet me bashkëpunim të dy shteteve!
Pas 51 viteve apo më shumë se gjysmë shekulli, kjo ngjarje e madhe sportive rikthehet në Ballkan.
Shumë sfida e sakrificë deri në këtë fitore. Shumë kontribues po ashtu që u angazhuan përtej limiteve për këtë sukses.
Tani ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë që kemi përpara.
Le t’i dëshmojmë jo vetëm Mesdheut, por edhe gjithë Botës, se ky shtet i vogël vërtetë di të bëjë gjëra të mëdha.”
-
“Mbi 250 milionë euro investime publike në stadiume, pishina, salla sportive e infrastukturë tjetër sportive.
Edhe qindra miliona euro tjera investime private në akomodim, hoteleri e turizëm.
Krahas përfitimeve direkte financiare që do të vijnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, përmes tyre do të konsolidohet imazhi shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcohet përkatësia dhe identiteti shtetëror si dhe do të investohet në infrastrukturë fizike të modernizuar.” - ka shkruar Ministri i Financave, Hekuran Murati në Facebook.