Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AUTOSPORT

Grashtica, garë përcaktuese

Grashtica, garë përcaktuese


Teksti: FASK

30 September, 2016 @15:21

Varësisht nga rezultatet në këtë garë, do të përcaktohen kampionët nëpër disa klasa. Në Grashticë, për të gjithë të pranishmit do të jetë edhe një befasi e këndshme

Kjo fundjavë në automobilizmin e Kosovës karakterizohet me garën e fundit në diciplinën malore, prandaj është e rëndësisë së veçantë, sidomos për disa garues, pasi do të jetë përcaktuese për titullin e kampionit në klasat përkatëse.

Pas garës së Zymit, disa nga automobilistët tanë ishin në Ilirska Bistricë të Sllovenisë, pastaj në Krujë, ndërkohë që për shkak të mungesës së mjeteve financiare dështoi shkuarja në Buzet të Kroacisë, në një garë tepër atraktive, e cila ishte edhe e fundit në kuadër të Kampionatit Evropian për këtë vit.

Sidoqoftë, kjo pauzë prej disa ditësh e ka pasur edhe anën pozitive, pasi garuesit kanë pasur më tepër kohë t’i përgatisin makinat e tyre. Për fat të keq, në Grashticë nuk do të garojë Bardhyl Canolli, i cili në Krujë pati një aksident të tmerrshëm, por mrekullisht i shpëtoi më të keqes.

Pa dyshim që edhe kësaj radhe në qendër të vëmendjes do të jenë Shkëlzen Lajqi e Përparim Dushi, të cilët me veturat e tyre Mitsubishi Evo 9, përkatësisht Formula, pritet të arrijnë rezultate të mira, madje edhe të thyejnë rekordin e shtegut.

Federata e Auto Sportit e Kosovës synon që, edhe kjo garë të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme, ndërsa për çdo eventualitet, aty do të jenë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve.

Gjatë të shtunës do të jenë vozitjet e lira (stërvitjet), ndërsa të dielën vozitja zyrtare, me fillim në orën 12:00. Rruga për veturat civile do të jetë e mbyllur gjatë kohës së garës, por do të lirohet në intervale të caktuara, në mënyrë që kalimtarët e rastit të presin sa më pak që është e mundur.

Para fillimit të garës (të shtunën) do të jetë një befasi e këndshme për të gjithë të pranishmit.


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera