WIMBLEDON 2019
Korriku nis me Wimbledon
1 July, 2019 @8:52
Dita e parë e Wimbledon 2019!
Si zakonisht, fillimi i korrikut vjen me turneun më emblematik të tenisit, Wimbledonin.
128 teniserë në kategorinë e meshkujve e fillojnë sot garën nga 1/64 e turneut, njëjtë sikurse edhe në kategorinë e femrave, për të vazhduar më pas deri më 14 korrik kur edhe do të kuptohen fituesit në të gjitha kategoritë.
Favorit ‘në letër’ te meshkujt është Novak Djokovic, fitues i këtij turneu edhe vitin e kaluar, rivalët e të cilit pritet të jenë të zakonshmit Roger Federer e Rafael Nadal.
Te femrat favorite sipas kuotave është Ashleigh Barty, momentalisht teniserja numër 1 në Botë, e cila për rivale të forta pritet t’i ketë teniseret Angelique Kerber, Naomi Osaka, Petra Kvitova si dhe gati 38 vjeçaren Serena Williams, e cila do të tentojë ta fitojë Grand Slamin e 24 në karrierë.
Për t’u përmendur është rikthimi i Andy Murray, i cili në janar vendosi që të pensionohej nga tenisi për shkak të një lëndimi në ije, mirëpo skocezi i është rikthyer tenisit dhe në Wimbledon sivjet merr pjesë në kategorinë e çifteve.
Që nga dita e sotme e deri më 14 korrik, #HappyWimbledon!