EJU

Foto: IJU
Kuka i zgjedhur në Komisionin e trajnerëve të Evropës
1 May, 2020 @1:07
Federata Evropiane e Xhudos (EJU) i ka dërguar letër Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK) duke i bërë të ditur se trajneri Driton Kuka është përzgjedhur në Komisionin e trajnerëvë të Unionit Evropian të Xhudos.
Me sukseset e arritura gjithandej nëpër gara, Driton Kuka disa herë është dëshmuar si trajner i nivelit botëror, ndërsa me këtë ftesë vetëm sa është konfirmuar suksesi i jashtëzakonshëm i tij i arritur me xhudistët kosovarë.
Në Komisionin e Trajnerëve marrin pjesë një grup i përzgjedhur i trajnerëve evropianë, me suksese të mëdha, që kanë rol vendimtar në caktimin e politikave të EJU-së sa i takon anës sportive.
“Komiteti Ekzekutiv i EJU-së në mënyrë unanime ka aprovuar propozimin që të ftojë Driton Kukën në Komisionin e Trajnerëve të EJU-së”, thuhet në njoftimin e Unionit Evropian të Xhudos.
Në Komisionin e Trajnerëve janë gjithsej shtatë trajnerë të xhudos. “Është nder i madh për mua. Ky komision ka në përbërje trajnerë eminent. Është vlerësim për punën që bëjmë dhe për rezultatet që kemi arritur”, ka thënë Driton Kuka për Koha.net të enjten.