BOTA FLET PËR MAJLINDËN
Mirëmëngjes, kampione botërore!
28 August, 2013 @9:03
Fitorja historike e Majlinda Kelmendit, duke u shpallur kampione bote në kategorinë -52 kilogramë në xhudo bëri bujë të madhe në botë.
Prej Japonie në lindje të largët e deri në perëndimin amerikan - ajo bëri që të përmendet Kosova, vendi i saj si dhe sukesi që e arriti mbrëmë në Rio de Janeiro të Brazilit.
Mediat më presigjioze sportive në botë: L’Equipe, Globo, El Mundo Deportivo, Eurosport e shumë të tjera nuk kanë mundur pa përmendur kosovaren më të suksesshme, Majlinda Kelmendi.
“Kur fitoi finalen, ajo kërceu e entuziazmuar dhe festoi, derisa Erika Miranda e gjunjëzuar vuante humbjen. U fishkëllua nga tifozët vendas, pasi me festën e saj ata u provokuan, por ajo e arsyeton atë.
-Kur fitova isha shumë e lumtur. As që mund ta mbajë në mend çka bëja. Njeriu nuk mund t’i kontrollojë emocionet kur është tepër i lumtur. Pashë që publiku fishkëllonte, por kjo gjë është normale. Ndodh. Nuk kam dashur të provokoj askë,” ka qenë shpjegimi i Majlindës për të përditshmen më të madhe sportive braziliane, Globo, që në artikullin e saj përshkruan në detaje kosovaren që nga fëmijëria, lufta, e deri te dështimet dhe sukseset e saja.
“Kosovarja Kelmendi, e artë në kategorinë -52 kg. në kampionatin botëor të xhudos,” shkruan sot L’Equipe e Francës, ku cek fitoret e Majlindës me radhë.
“Kelmendi shkruan histori për Kosovën,” ka qenë titulli i France 24, derisa edhe Zee News e Indisë ka raportuar me titull të njejtë për pejanen 22 vjeçare.
Ndërsa në një përshkrim më të detajuar, El Mundo Deportivo ka shkruar se “Majlinda ka merituar fitoren dhe ka konfirmuar dominimin e saj të paralajmëruar në turnetë e mëparshme.”
Publico e Portugalisë ka përshkruar humbjen e vashës së tyre, Joana Ramos, në raundin e parë nga Majlinda Kelmendi - duke e arsyetuar se ka humbur nga xhudistja më e mirë në botë në këtë kategori.
Në anën tjetër edhe e përdtishmja shqiptare, Panorama Sport, ka gjetur një hapësirë të vogël në ballinën e saj për të shkruar se Majlinda Kelmendi është kampione e botës.
Kurse vendorja Koha Ditore kishte rezervuar pjesën më të madhe të ballinës për Majlindën dhe shkrimin në dy faqe ku Majlinda ia dedikonte fitoren Kosovës së saj.
Video
Fitorja e madhe
Dyluftimi final i Majlinda Kelmendit ndaj brazilianes Erika Miranda