AUSTRALIAN OPEN
Pa e humbur asnjë set, Ashleigh Barty fituese e Australian Open 2022!
29 January, 2022 @11:14
Tenistja numër 1 në botë dhe favoritja për ta fituar Australian Open 2022 te vajzat, australianja Ashleigh Barty, nuk ka zhgënjyer dhe sot ka arritur të shpallet kampione e turneut në fjalë.
Barty në finale e mposhti sot amerikanen Danielle Collins 2-0 në sete (6-3, 7-6), për ta fituar kështu Grand Slam-in e parë të vitit kalendarik.
Collins, e renditur në vendin e 27 në botë momentalisht, nuk arriti t’i bëjë ballë australianes Barty, e cila me plot meritë shpallet kampione e këtij turneu. Gjatë gjithë turneut, australianja në fjalë nuk e humbi as edhe një set!
Triumfi i Bartyt sot bën që shteti i Australisë ta ketë një kampione vendas në Australian Open te vajzat për herë të parë që nga viti 1978!
Pas triumfeve në Roland Garros 2019 dhe Wimbledon 2021, ky është Grand Slam-i i tretë i fituar për Barty në karrierë.
Ndërkohë, nesër me fillim nga ora 09:30 (sipas kohës tonë lokale) zhvillohet finalja e meshkujve në Australian Open, ku mes vete do të përballen Rafael Nadal dhe Daniil Medvedev.