ZYRTARIZOHET TRAJNERI I RI
Peja zyrtarizon trajnerin e ri të ekipit
11 October, 2024 @15:44
Ashtu siç u përfol ditë më parë, irlandezi Daniel Nelson është trajner i ri i Pejës. Irlandezi do të zëvendësojë Rami Hadarin që ditë më parë dha dorëheqje nga KB Peja, por edhe nga reprezentacioni i Kosovës në basketboll.
Nelson, nuk është i panjohur për Superligën e Kosovës. Ai vite më parë drejtoi Rahovecin. Këta të fundit edhe pse nuk kishin gjasa për mbijetesë në Superligë, kanë arritur të fitojnë ndeshje nën drejtimin e Nelsonit, që është një gjë e rrallë që ka ndodhur në basketbollin kosovar për ekipet që s’kanë gjasa mbijetese, të fitojnë ndeshje!
Trajneri 40 vjeç së fundi ka qenë pjesë e ekipit holandez të basketbollit, Den Helder Suns në DBL-në elite të Holandës.
“Irlandezi Daniel Nelson është emëruar trajner i ri i KB Peja, dhe do ta marrë drejtimin e ekipit nga sot - duke qenë kështu kryetrajner i skuadrës që nga ndeshja me Sigal Prishtinën - që luhet nesër në orën 17:00. 40 vjeçari vjen në Pejë, pas eksperiencave të ndryshme në Gjermani, Rusi, Angli, Irlandë, Zelandë të Re, Qipro, Rumani, shkurt në Kosovë dhe së fundmi edhe në Holandë,” ka shkruar ndër të tjera KB Peja në njoftim.
Përndryshe, Peja nuk nisi siç e priti stinorin e ri. Me dy fitore e dy humbje në Superligë pas katër xhirosh, ndërsa në turneun e Superkupës nuk arritën finalen! Tash Nelson ka punë për të futur në binarë ekipin, ndërsa do të debutojë që në fundjavë ndaj Prishtinës në derbi!