HENDBOLL
Përfaqësuesja vendoset në Sllovaki, gati për ndeshjet
29 November, 2018 @19:02
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të FHK-së, është bërë e ditur që përfaqësuesja e hendbollit në kategorinë e femrave tashmë është vendosur në Sllovaki.
Përfaqësuesja e Kosovës të enjten është vendosur në Galant të Sllovakisë, ku prej të premtes deri të dielen luan ndeshjet e grupit të parë të fazës së parë kualifikuese për botërorin e vitit tjetër.
Kosova të premten (nesër) prej orës 15:30 luan ndaj Izraelit, e më pas përballë i ka Ukrainën dhe Sllovakinë nikoqire. Ndeshja me Ukrainën luhet të shtunën prej orës 15:30, kurse ajo me Sllovakinë të dielen prej orës 18:00.
Shtabi teknik i përbërë nga përzgjedhësi Agron Shabani dhe trajnerët Lulzim Nagavci e Valbona Rudaku kanë punuar për mbi një javë me hendbollistet në Prishtinë. Rastin për herë të parë e kanë fituar disa hendbolliste të reja, ndërsa disa lojtare të rëndësishme mungojnë për shkak të lëndimeve. Burneta Rama, Arlinda Krasniqi e Njomza Kelmendi janë të lënduara, ndërsa Albana Arifi e Suzana Ujkiq nuk e kanë fituar ende të drejtën që të luajnë me Kosovën.