WINTERSPORTS
Sezoni i borës
Shkruan: Luan MORINA
24 November, 2018 @10:27
Çka ka në stinën më të ftohtë të vitit? Risitë dhe pritjet si dhe garat më interesante…
Shkruan: Luan Morina
Art
Edhe nëse i quajmë jashtëtokësorë, s’do të ishim shumë gabim kur të flasim për dy persona të veçantë në sportin më artistik që ekziston ndoshta. Yuzuru Hanyu dhe Alina Zagitova kanë fituar Rostelecom Cup me paraqitje të mahnitshme duke treguar aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në këtë sport. Që të dy kanë siguruar finalet e Grand Prix, e cila garë do të jetë ndër më të zjarrtat ndër vite.
Tek meshkujt, Shoma Uno ka fituar të dy garat e tija këtë sezon, dhe me fitore eventuale në Francë, edhe Nathan Chen do të bashkohet për një tre-luftim nga i cili pothuajse sigurisht fitues do të dalë Hanyu!
Në vallëzim, Stepanova e Bukin fituan garën e dytë, duke barazuar fitoret e Hubbell e Donohue. Por, këtë javë në Trophee de France sezonin nisin kampionët aktual botëror, Gabriella Papadakis e Guillaume Cizeron. Mungesa e Tessa Virtue e Scott Moir ka dëmtuar këtë rivalitet, por dyshja franceze s’do ta ketë aq lehtë.
Në dyshe është dyluftim rus ndërmjet Tarasova/Morozov e Zabiiako/Enbert. Ngjashëm do të duhej të ishte edhe tek femrat, porse aty do të kemi një dyluftim të tresheve ruse e japoneze. Rika Kihira mund t’i japë goditjen e dytë Evgenia Medvedevas e cila mbeti mbrapa Elizaveta Tuktamyshevas në Kanada. Kihira vjen për titullin e dytë këtë sezon pas triumfit në Japoni. Miyahara e Sakamoto janë dy japonezet tjera që kanë pasur sezon të mirë, por të gjitha do të ndjekin Zagitovën.
Alpin
Sllallomët në Levi nuk sollën asgjë të re në garat e skijimit alpin. Marcel Hirscher e Mikaela Shiffrin shënuan fitoret e para në atë që do të duhej të ishte sezon dominues për ta. Me këtë ritëm kam frikë që do të duhet të presim shkurtin dhe Kampionatin Botëror për gara argëtuese.
Kjo fundjavë lëshon në shteg skitarët e shpejta në Lake Louise (të dyja garat nisin në ora 8 të mbrëmjes), gjersa femrat vazhdojnë me disiplinat teknike në Killington, ku Shiffrin do të duhej të shënonte edhe dy fitore tjera, për të mbyllur sezonin ende pa nisur mirë, fatkeqësisht!
Kërcime
Së paku tek kërcimet me ski patëm risi të këndshme. Evgeniy Klimov shënoi fitoren e parë për një rus në këtë sport, para gjermanit Stephan Leyhe dhe japonezit Ryoyu Kobayashi. Ata që kanë përcjellë turneun veror të kërcimeve me ski kanë vërejtur formën e mirë të Klimovit, duke mos u ardhur si befasi triumfi i tij në Wisla.
Mposhtja e Kamil Stoch i cili mbeti i katërti para talentit slloven, tetëmbëdhjetë vjeçarit Timi Zajc, premton sezon interesant në këtë sport. Polakët megjithatë morën garën ekipore kundër norvegjezëve të cilët patën vetëm një kërcyes në Top10. Çekët ishin befasisht të mirë, gjersa Antti Aalto solli një rezultat befasues për finlandezët.
Vikendi
Ringjallja finlandeze mund të vazhdojë këtë vikend në Ruka, ku pos kërcimeve me ski në program janë edhe kombinimi nordik dhe kros-kountri me sprintin klasik në mesditën e të shtunës. Kanë mbetur vetëm edhe sajat dhe biathloni për të kompletuar nisjen e sezonit dimëror.