LUNDRIM

Përfundon lundrimi
Dominim i britanikëve.
13 August, 2016 @23:12
Mahe Drysdale nga Zelanda e Re, e mbrojti titullin në garën e individuale me lopatë vetëm pas fotofinishit. Ai përfundoi me kohë të njëjtë me kroatin Damir Martin i cili u desh të pajtohet me të argjendtën përkundër angazhimit të tij maksimal në fund të garës kur shkriu epërsinë e Drysdale. E bronzta shkoi tek Ondrej Synek nga Çekia i cili kishte përfunduar i dyti në Londër.
Në të njëjtën kategori tek femrat, më e mira ishte Kim Brennan nga Australia. Gevvie Stone nga SHBA-të përfundoi e dyta, derisa Duan Jingli nga Kina e treta.
SHBA-të vazhduan traditën e fitimit të artës në kategorinë tetëshe tek femrat. Ato bindshëm dolën të parat duke lënë mbrapa Britaninë e Madhe e cila arriti të kaloj Rumaninë në metrat e fundit të garës.
Britanikët ishin më të mirët në tetëshen e meshkujve duke larguar nga froni Gjermaninë e cila përfundoi e dyta. Medalja e bronztë u takoi holandezëve.
Në garat e lundrimit në Olimpiadën e Rios, Britania e Madhe qe më e suksesshmja me pesë medalje në total, tri të arta dhe dy të argjendta. Gjermania dhe Zelanda e Re patën nga dy të arta dhe një të argjendtën. Në total 21 kombëtare ishin ngjitur në podium në këtë sport.