KUALIFIKUESET PËR EVROPIANIN U-18
Serbia s’del në fushë, Kosova fiton 3-0!
21 January, 2024 @15:02
Kosova e Serbia është dashur të luajnë sot prej orës 15:00 ndeshjen për pozitat 5-6 në kuadër të Kampionatit Evropian të volejbollit për grupmoshat nën 18 vjeçe.
Si Kosova, ashtu edhe Serbia përfunduan të fundit në grupet e tyre dhe për të përcaktuar pozitat 5-6 në Evropianin U18 të zonës ballkanike është dashur të përballen sot.
Si duket Serbia U18 nuk ka pranuar të dalë në fushë të lojës për tu ndeshur me Kosovën U18 dhe kështu Federata Evropiane e Volejbollit (CEV) në statistikat zyrtare të ndeshjes ka regjistruar duelin 3-0 në sete për Kosovën U18.
Mbetet të konfirmohet rezultati zyrtar edhe nga Federatat përkatëse.
Kosova ishte në Grupin A, ku pa fitore mbeti e fundit pas Greqisë e Maqedonisë Veriore, njëjtë sikurse edhe Serbia në Grupin B.
Vetëm fituesi i turneut kualifikues ballkanik, siguron kalimin në fazën e radhës të kualifimeve për evropianin U18. Në finale luajnë Greqia-Rumania sonte.
Njoftimi zyrtar i FVK-së:
Kosova U18 (djemtë) e ka fituar ndeshjen në tavolinë ndaj Serbisë U18, pasi kundërshtari nuk u paraqit.
Arsyeja zyrtare e ekipit serb, ka qenë se “9 lojtarë të formacionit të Serbisë kanë qenë me temperaturë, duke u pamundësuar daljen në teren”.
Duke e patur parasysh çasjen refuzuese të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës, FVK e konsideron të paqëndrueshëm arsyetimin e dhënë nga Federata Serbe e Volejbollit dhe do të kërkojë nga CEV, që Serbia të sanksionohet për këtë veprim.
FVK më shumë do t’i gëzohej suksesit të arritur në arenën sportive, sesa rezultateve të vendosura “në tavolinë”.
Kombëtarja jonë u paraqit në fushë, tregoi pjekuri për lakmi dhe nivel të lartë të profesionalizmit.
Djemve tanë iu mohua gara kompetitive, meqë kundërshtari nuk u shfaq në teren.
Sporti duhet të krijojë ura bashkimi, e Serbia në këtë rast ka dëshmuar përmes veprimeve të kësaj natyre, se akoma nuk e ka këtë vullnet e gadishmëri.
U mbetet mekanizmave brenda BVA dhe CEV, që ta hulumtojnë këtë veprim, për të cilin, bazuar nga hapat e ngjajshëm edhe në të kaluar, nënkuptohet si tendencë për ta shmangur duelin me Kosovën.
FVK e uron shtabin teknik dhe djemtë e Kombëtares U18, për paraqitjen dinjitoze dhe kalimin në fazën e mëtutjeshme të CEV U18 EuroVolley.