Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NFL

Sezoni i ri, misioni i vjetër në NFL – Si të ndalen Patriots?

Sezoni i ri, misioni i vjetër në NFL – Si të ndalen Patriots?


Shkruan: Luan MORINA

5 September, 2019 @15:01

Pa Gronkowskin, dhe me Bradyn tani drejt të 50tave, Patriots më në fund mund të jenë të lëndueshëm në AFC! Por, Bill Bellichik është ende andejpari dhe shanset për një dështim janë të padiskutueshme, sidomos kur merret parasysh ‘fuqia’ e Divizionit të Lindjes me Bills, Dolphins, e Jets si ekipe që lehtë shkelen dhe së bashku në 9 sezonet e fundit kanë pasur tri paraqitje (nga një secila) në përfundimtare.

Divizioni më i lehtë në NFL iu ka ofruar rehati dhe udhëtime të lehta në finale AFC, Patriotëve në dhjetë sezonet e fundit. Finalja e katërt radhazi dhe një unazë tjetër për Patriots mund të ndërpritet vetëm nga Chiefs.

Në fakt, për shumëkënd, Chiefs të udhëhequr nga MVP i sezonit të kaluar, Patrick Mahomes, dhe nën helmetën e Andy Reid, shihen si favorit kryesor dhe të vetmit që mund të ndalin Patriots. Vitin e kaluar ishin më të mirë në pjesën e rregullt në AFC, dhe e njëjta pritet të ndodh edhe këtë vit, përfshirë edhe MVP çmimin e dytë radhazi për Mahomes, i cili do të jetë i pari që arrin këtë pas Peyton Manning.

Edhe një rekord i Manning (539TD), për më së shumti touchdown pritet të thyhet këtë sezon, edhe ata nga Brees (520) e Brady (517).

Drew Brees mund të fitoj shansin që të arrij titullin e dytë në karrierë nëse Saints arrinë të kenë një sezon sikur të kaluarin. Vitin e kaluar u mposhtën nga Rams të cilët turpëruan në Superbowl, dhe përkundër kontratës rekorde prej $110 milion të garantuar, dhe super-mbrojtjes, do të kenë probleme të shfaqen të pjekur në Superbowl.

Në mesin e ekipeve tjera që do të duhej të rrezikonin këtë sezon në NFL, në AFC do të duhej të përmendnim tërë divizionin e Veriut ku Ravens e Steelers do të duhej të sfidoheshin nga Bengals dhe ndoshta më në fund Browns.

Në Jug, Texans përkundër shitjeve dalin në rolin e favoritit, gjersa nuk mbeten mbrapa as tri ekipet tjera, kryesisht për shkak të dobësisë së përgjithshme që ka ky divizion.

Në NFC, Veriu zor që do të rrezikohet nga Packers për Vikings e Bears, derisa pritet të shihet Seahawks, të cilët bënë pak magji duke blerë Clowneyn, sa do të jenë të rrezikshëm për Rams. Por, më interesant se NFC Veiru, duhet të jetë NFC Lindja, ku që të katër ekipet, përfshirë edhe Giants tani me kuarterbek të ri, janë në gjah për vende në përfundimtare.

Si befasi mund të shihen edhe Panthers e Chargers në NFC, gjersa Colts mund të befasojnë ose të dështojnë për të marrë kuarterbek të ri në draftin e vitit të ardhshëm. Krejt kjo pas pensionimit të parakohshëm të Andrew Luck.

I parë si njëri nga kuarterbekët më të mirë në NFL, pas katër viteve me lëndime të ndryshme, Luck u pensionua nga NFL në moshën 29 vjeçare, duke habitur pothuajse të gjithë. Do të duhej të ishte viti i suksesit për Colts të cilët më në fund kishin rregulluar linjën ofensive për të mbrojtur Luck, por ashiqare më vonë se që duhej.

Pensionimi i Luck nuk i ndihmon popullaritetit të NFL-së e cila ndonëse liga më e popullarizuar në SHBA, ka hasur në probleme sa i përket shëndetit dhe sigurisë shëndetësore, në veçanti mendore të lojtarëve. Këtë vit, ngjashëm pas disa sezoneve me lëndime, s’do të shohim as njërin nga fundorët ofensiv më të mirë të viteve të fundit, Rob Gronkowski.

Por, edhe pa këto dy yje, NFL mbetet një sport, një botë në vete, shkëlqimi i të cilës nuk është as afër zbehjes.


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera