KARATE

Shabani dhe Nishevci arrijnë TOP 5-shen në Stamboll
15 March, 2021 @15:35
Dy karateistët kosovarë, Elhami Shabani dhe Herolind Nishevci, kanë zënë vendet e pesta në Premier Ligën e karatesë, e cila u organizua në Stamboll të Turqisë.
Të dy garuesit tanë humbën luftat për medaljen e bronztë, për të përfunduar në vendin e pestë, që vlerësohet sukses i madh në garat e këtij niveli.
Shabani, në kategorinë deri në 75 kilogramë, u përballë me gjermanin, Noah Bitch, me të cilin barazoi 0:0, por që gjyqtarët vendosën t’i japin fitoren 3:2 garuesit nga Gjermania, vendim ky të cilin karateisti ynë e konsideroi të padrejtë.
Ai para këtij meçi shënoi katër fitore, ndërsa mundi edhe kampionin e Botës nga viti 2018, iranianin Bahman Asgari.
Ndërsa karateisti tjetër, Nishevci, garoi në kategorinë plus 84 kilogramë dhe në luftën për medaljen e bronztë u mposhtë nga Asiman Gurbanli i Azerbajxhanit, përkundër se ishte në epërsi. Herolindi më parë kishte shënuar tri fitore për të arritur në luftën për medaljen e bronztë, pasi ishte ndalur në gjysmëfinale.
Sukses në Premier Ligën e Stambollit arriti edhe Festina Curri, e cila përfundoi në vendin e shtatë, pas tri fitoreve të realizuara në kategorinë -68 kg, ndërsa prej garuesve tjerë, Albinot Selmani (-60 kg) fitoi një luftë, derisa Albulena Gërvalla (-55 kg), Adelina Rama (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg) dhe Fortesa Orana (+68 kg), u ndalën në luftën e parë.
Nga kjo garë, Shabani dhe Nishevci fituan pikë olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020.