HENDBOLL
Shqiponja eliminon skuadrën izraelite
13 November, 2016 @21:05
Klubi i hendbollit “Shqiponja” nga Gjakova ka arritur ta eliminojë skuadrën izraelite të Maccabi Arazim R.g, për të kaluar kështu në raundin tjetër të “Challenge Cup”.
Falë marrëveshjes me klubin izraelit, dy takimet u luajtën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Nga dy takimet e luajtura, numri i golave të shënuar ishte i barabartë për të dyja skuadrat, mirëpo Shqiponja u kualifikua falë numrit më të madh të golave të shënuar në ‘terrenin’ mysafir.
Ndeshja e parë u zhvillua dje dhe skuadra izraelite, e cila luajti në cilësinë e vendasit, e fitoi takimin me rezultat 31:30. Mirëpo në takimin kthyes të luajtur sot, vajzat nga Gjakova triumfuan me rezultat 29-28, për t’u kualifikuar kështu në raundin tjetër dhe për ta vazhduar përfaqësimin e Kosovës në garat ndërkombëtare në nivel të klubeve.
Hendbollistet më të dalluara për skuadrën nga Gjakova ishin Beba, Bajramaj e Kelmendi. Të trija këto shënuan nga 7 gola.
Se me kë do të ndeshet Shqiponja në raundin tjetër, do të kuptohet në shortin që mbahet ditët e ardhshme.