BRAZIL GP
Hamilton fiton, titulli vendoset në Abu Dhabi
13 November, 2016 @20:00
Më në fund përfundon gara e Brazilit!
Gara që zgjati pothuajse 4 orë, duke përfshirë edhe dy ndërprerjet e detyrueshme për shkak të shiut të madh, më në fund ka përfunduar. Tejkalime, dalje nga pista e aksidente: të gjitha këto ngjarje e karakterizuan garën e parafundit të sezonit, e cila u zhvillua sot në Brazil.
Një garë që filloi me aksidentin e Kimi Raikkonenit, i cili ishte me fat që nuk u lëndua, e më pas vazhdoi me dy ndërprerje, me pilotët që vazhdimisht kërkonin ndaljen e garës me arsyetim se pista ishte e mbushur me ujë dhe shiu nuk kishte ndërmend të ndalej. Gjithsesi, pas rikthimit të dytë në pistë, garuesit nuk e ndërprenë më garën dhe gjithçka u zhvillua deri në fund.
Në fund, triumfues doli anglezi Lewis Hamilton, i cili la pas vetes Nico Rosbergun, për të cilin një triumf sot do të nënkuptonte fitimin e titullit. Pasi që nuk mundi të triumfonte sot, Rosbergut i mbetet të mos gabojë në garën e fundit të sezonit në Abu Dhabi. Vlen të përmendit fakti që Lewis Hamilton e filloi dhe e mbylli garën në vendin e parë, kurse kjo ishte hera e parë që anglezi triumfon në ‘Brazil GP’.
Përveç ndërprerjeve, ajo që ra në sy në këtë garë ishte dalja emocionuese nga pista e brazilianit Felipe Massa, i cili e la garën me lot në sy para publikut brazilian, duke marrë parasysh që kjo ishte gara e fundit për të në vendlindjen e tij, me brazilianin që e mbyll karrierën pas këtij sezoni.
Ra në sy edhe Verstappen, i cili dhuroi një nga momentet më të bukura të garës, duke bërë disa tejkalime të njëpasnjëshme. Për më tepër, gjermani i talentuar përkundër terrenit të vështirë dhuroi xhirot më të shpejta nga të gjithë garuesit sonte dhe vazhdimisht ishte në qendër të vëmendjes për tejkalimet spektakulare që i bënte apo tentonte t’i bënte. Nga ekspertët në komentim, vazhdimisht përmendej fakti që si 19-vjeçar që është, përvoja e gjermanit Max Verstappen është për t’u admiruar.
Pas kësaj gare, titulli mbetet të vendoset në garën e 27 nëntorit në Abu Dhabi, e cila është edhe gara e fundit e sezonit. Diferenca në pikë mes Rosbergut kryesues dhe Hamiltonit tashmë është 12 pikë dhe gjithçka mund të ndodh!
Renditja e garuesve 1 garë para fundit: