FORMULA 1
S’ka para për Turkish GP
7 December, 2012 @9:05
FIA ka marrë vendim se vitin tjetër në Formula 1 do të mbahen 20 gara, mirëpo një garë e cila është paracaktuar të mbahet me 21 korrik, ende nuk dihet se ku do të mbahet.
Organizatorët e garës në Turqi kanë thënë se gara për Çmimin e Madh të Turqisë varen nga qeveria. Ndërsa mediat turke kanë raportuar se shteti do të jep 13.5 milionë dollarë fonde për organizatorët e garës.
Privatët nëse kanë para le ta bëjnë, ne nuk do ta paguajmë atë çmim - Suat Kilic, Ministër i Sportit të Turqisë
Mirëpo Ministri i Sportit, Suat Kilic, u ka thënë mbrëmë gazetarëve se Formula 1 në Turqi krejtësisht është në duart e privatëve, e jo shtetit.
“Nëse duan, sektori privat mund ta sjellë Formula 1-shin në Turqi. Mirëpo, ne nuk do të paguajmë çmimin për të drejtën e kësaj gare assesi,” është cituar Kilic, nga Dogan News Agency.
Federata Turke e Sporteve Automobilistike ka thënë se këto pika janë diskutuar në një takim të krerëve të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit në Stamboll (FIA). Gara për Çmimin e Madh të Turqisë është mbajtur për herë të fundit në vitin 2011.