WIMBLEDON
Super Halep, shkollon Williamsin dhe fiton Wimbledonin
13 July, 2019 @16:13
Përkundër faktit që nuk ishte favorite për ta fituar finalen, rumunja Simona Halep me një lehtësi të paparashikueshme ka arritur ta mposhtë amerikanen Serena Williams, për ta fituar kështu për herë të parë në karrierën e saj Grand Slamin e Wimbledonit.
Ndeshja filloi në mënyrë fantastike për rumunen Halep, e cila krijoi epërsi 4-0 shumë shpejt, për ta mbyllur setin e parë 6-2. Më pas, Serena u përmirësua pak në setin e dytë, por jo mjaftueshëm për t’i bërë ballë teniseres numër 7 në Botë, e cila sot ishte larg më e mirë se amerikanja. Edhe seti i dytë u mbyll me rezultatin e njëjtë 6-2 dhe titulli rrjedhimisht u fitua nga Halep.
Për rumunen Halep ky është Grand Slami i dytë në karrierë, pas French Open-it të fituar në vitin 2018, kurse 37 vjeçarja Williams mbetet me 23 Grand Slame të fituara.
Me fillim nga ora 15:00 nesër zhvillohet finalja e meshkujve, ku mes vete ndeshen Novak Djokovic e Roger Federer, përballje e cila shpresojmë të jetë pak më interesante se kjo e sotmja, e cila u mbyll për vetëm 56 minuta dhe nuk solli pothuajse aspak emocione.