SKITARI
Tahiri fiton normën olimpike në sllallomin e madh
4 March, 2021 @15:53
Siktari kosovar, Albin Tahiri, ka fituar normën olimpike për disiplinën e sllallomit të madh në skijimin alpin në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.
Tahiri këtë sukses e arriti duke përfunduar në vendin e 23-të në garën e sotme të mbajtur në Maribor të Sllovenisë. Ai i përfundoi të dyja lëshimet me kohë 2:16.76 minuta, për të fituar 82.24 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).
Në këtë garë morën pjesë 50 garues, ku 10 prej tyre nuk përfunduan njërin nga dy lëshimet.
“Jam shumë i lumtur me garën e sotme. Kam përmirësuar rezultatin e sotëm për dallim nga dje (i 29-ti) dhe kam marrë 82.24 pikë të FIS-it, që është rezultati dukshëm më i mirë për Kosovën në dy sezonet e fundit në ndonjë disiplinë”, ka thënë Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Albini do ta kërkojë normën olimpike edhe në sllallom dhe disiplinat e shpejta si: Super sllallom të madh, kombinim alpin dhe lëshim.
Më herët, normën olimpike në disiplinën e sllallomit të skijimit aplin e kishte arritur edhe skitari ynë pejan, Arbi Pupovci, i cili ishte bërë sportisti i parë nga Kosova me normë olimpike në Pekin 2022.