Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AUSTRALIAN OPEN

Thiem dorëzohet, Djokovic triumfues i Australian Open 2020

Thiem dorëzohet, Djokovic triumfues i Australian Open 2020


2 February, 2020 @13:48

Për herë të tetë në karrierën e tij, Novak Djokovic është fitues i Australian Open.

Në finalen e luajtur sot në Melbourne, teniseri serb mposhti me shumë vështirësi austriakun Dominic Thiem, me ndeshjen që u mbyll 3-2 (6-4, 4-6, 2-6, 6-3, 6-4) pas 5 setëve të luajtura për rreth 4 orë.

Seti i parë i kaloi Djokovicit (6-4) dhe u krijua përshtypja se kjo do të ishte një ndeshje e lehtë për të, mirëpo që nga seti i dytë, austriaku Thiem u tregua dukshëm më i përqëndruar dhe më i mirë, duke i përballuar si rrallëkush tjetër “long rallies” ndaj Djok dhe kështu arriti t’i fitojë setin e dytë dhe të tretë, për të kaluar në epërsi 2-1 në sete.

Në fund të setit të dytë dhe në fillim të setit të tretë Djokovic u kaplua nga një nervozë rutinore, që e shohim zakonisht nga ai kur është duke humbur. Kjo nervozë si zakonisht solli ankesa të tij ndaj gjyqtarit, tejzgjatje të gjuajtjeve të shërbimeve e të ngjajshme (sjellje që e kanë lënë atë pothuajse pa fanbazë ndërkombëtare), mirëpo për fatin e mirë të tij, ai arriti të qetësohet në dy setet e fundit dhe përmbysi gjithçka, për të fituar në fund 3-2 në sete.

Thiem, i pesti në botën e tenisit momentalisht, u mbajt dhe luftoi deri në fund, mirëpo ishte përvoja e madhe dhe përqëndrimi i paluhatshëm i Djokovic që në fund vendosi.

Me këtë triumf Djokovic tashmë ka 17 Grand Slams të fituar, 2 më pak se Nadal (19) dhe 3 më pak se Roger Federer, i cili prin me 20.

Kujtojmë që në finalen e femrave dje, triumfuese doli Sofia Kenin, për të cilën Grand Slami i Australisë ishte i pari i fituar në karrierë.


 
Të gjitha lajmet nga Tenis