ASPAK LEHTË PËR KAMPIONEN
Trepça bën dallimin në çerek të fundit dhe nuk lejon befasinë!
7 September, 2024 @18:50
Vetëm në çerek të fundit Trepça ka arritur të shkëputet në rezultat dhe të sigurojë fitoren ndaj Borës, që do të debutojë në Superligë këtë stinor. Trepça e Adis Becirigacit ka nisur mbarë stinorin e ri në ndeshjen e parë zyrtare, në kuadër të çerekfinales së Superkupës së Kosovës, duke e fituar ndeshjen ndaj Borës së Arben Krasniqit me 9 pikë dallim në fund, 85-76.
Por, rezultati përfundimtar nuk ishte pasqyrë e asaj që ndodhi në parket deri në minutën e 35-të të ndeshjes. Bora është treguar jashtëzakonisht e fortë në duel me ekipin mitrovicas dhe pos që ka mbyllur pjesën e parë në epërsi, 41-44, prishtinasit kanë qenë përpara me rezultat edhe kah fillimi i çerekut të katërt të ndeshjes.
Sammy Hunter me 24 pikë, 2 asistime e 12 kërcime ishte koshashënuesi më i mirë i Trepçës në përballjen e parë të turneut të Superkupës, që filloi sonte në “Sezai Surroi” të Prizrenit. Me 18 pikë ia nisi “punës” së tij Larry Thomas, që bëri edhe 6 asistime e 7 kërcime. Mikaile Tmusic luajti me 11 pikë, 4 asistime e 4 kërcime.
Te Bora, që tregoi se do të jetë arrë e fortë në Superligë dhe nuk është aty për shtëtitje njësezonale, me 24 pikë e 6 kërcime u dallua Isaiah Mosley, ndërsa 23 pikë, 7 asistime e 6 kërcime i bëri Clay Jr.
Me këtë fitore, Trepça siguron gjysmëfinalen e Superkupës, ndërsa Bora eliminohet nga turneu, por do të ketë kohë për përgatitje edhe më të fuqishme për stinorin e ri në Superligë ku do të debutojë.