DUELI I PARË, HUMBJE E THELLË!
Trepça pëson thellë nga Dijoni
9 October, 2024 @22:34
Mbi 40 pikë në fund u bë dallimi. Trepça u mposhtë thellë nga Dijoni në ndeshjen e parë të Grupit H në kuadër të FIBA Europe Cup. Mitrovicasit nuk arritën t’i bënin ballë ekipit të fortë francez që për herë të parë po bën gara në FIBA Europe Cup.
Deri diku, ekipi i Adis Beciragic i bëri ballë në çerek të parë francezëve, 34-27. Por pas çerekut të parë dhe në secilin tjetër të ardhshëm, epërsia e vendasve u thella, ndërsa Dijoni shkoi te fitorja me 45 pikë dallim, 118-73!
I tërë ekipi francez fitoi minuta nga trajneri i tyre Laurent Legname, ndërsa sipas pikëve, Markis McDuffie ishte më efikasi me 17 të shënuara. Bashkëlojtarët e tij, nuk mbetën pas tij, Joshua Obiesie dha 16, ndërsa me 15 të shënuara ndeshjen e përfunduan Kyler Edwards, Ilias Kamardine dhe Christian Sengfelder.
Te Trepça barën kryesore e mbajti reprezentuesi Mikaile Tmusic me 22 pikë të shënuara, duke u bërë edhe koshashënuesi më i mirë i ndeshjes. Por kjo nuk mjaftoi aspak! Samuel Hunter dha 17, kurse të tjerët ishin larg mundësive për të bërë më shumë në këtë duel!
Për shkak të koshdallimit të madh Dijoni u bë lider i grupit pas xhiros së parë, pasi që në përballjen tjetër të grupit, Ludwigsburgu fitoi Caledonia Gladiatorsin me 24 pikë dallim, 86-62.
Dueli i radhës, gjithashtu shumë i vështirë i Trepçës është ndaj gjermanëve të Ludwigsburgut më 16 tetor në shtëpi. E Caledonia pret Dijonin. Kujtojmë, FIBA Europe Cup llogarit ekipin gjerman favorit të grupit!