Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

US OPEN

US Open - Parashikimi

US Open - Parashikimi


Shkruan: Luan MORINA

26 August, 2019 @19:55

Treshja e zakonshme mbetet për të ndarë titullin, dhe asnjëri nuk duket të jetë më mirë se tjetri. Ndonëse Roger Federer u turpërua nga Rublev në ndeshjen e parë si 38 vjeçar, më të mirin e këtij sporti kurrë nuk mund ta largojmë nga mesi i favoritëve, ani pse duket një mision i pamundur. Akulli i tij psikik nuk duket të jetë në formë pas Wimbledonit, dhe varet sa ka mundur të këndellet në aspektin psikik para ndoshta Grand Slam turneut të tij të fundit në karrierë (ndonëse shumë i pabesueshëm mund të jetë ky konstatim).

Nadal fitoi Montrealin, për të heqë dorë menjëherë nga Cincinnati, ku Djokovic, u kthjell nga rusi Daniil Medvedev.

Është pikërisht Medvedeev me dy finale në Washington e Montreal dhe titull në Cincinnati që vjen me super-formë në Nju Jork për të sfiduar gardën e vjetër. Si bartës i pestë, Medvedeev nëse ecën sipas pritjeve në çerekfinale mund të përballet me Djokovic.

Formën më të mirë pas Medvedeev nga tenistët tjerë e ka Bautista-Agut. Spanjolli mund të arrijë gjysmëfinalen e dytë radhazi në Grand-Slam turne në sektorin e Dominic Thiem, i cili ngadalë po gjen formën e tij, ndonëse jo majat e saj. Nga jashtë treshes, favorit do të duhej të konsideronim Nick Kyrgios, i cili befasoi të gjithë me pjekurinë e treguar drejt titullit të fituar në Washington, para se të hidhte gjithçka në fund të pusit në turneun e radhës në Cincinnati ku u dënua 113 mijë dollarë për sjelljet e tija. Edhe Kyrgios është në çerekun që përfshinë Bautista-Agut e Thiem.

Basilashivli që po kalon sezonin më të mirë të karrierës dhe i përhershmi John Isner janë në mesin e favoritëve, por megjithatë, tek meshkujt, titulli do të duhej të shkonte tek treshja e vjetër, me shumë gjasë për Nadal se Djokovic.

Garda e vjetër ka rënë tek femrat, me Maria Sharapovan e Serena Williams që ndeshen në ditën e parë të grand slam turneut të fundit, në atë që pritet të jetë një klasike për tifozët e tenisit. Serena Williams mund të ketë gjetur formën në Wimbledon, por ka humbur respektin e shumë vetave me sjelljet e saja në edicionin e kaluar të US Open. Sigurisht që vjen për të shpaguar veten, por për të arritur tek finalja ajo duhet të kalojë emra si Barty, Kerber, Svitolina, e Pliskova, nëse arrin të ketë fat në ndeshjet e para. E fati e ka përndjekur edhe në short.

Ndonëse lart në renditje, Osaka e Karolina Pliskova nuk kanë arritur të kalojnë çerekfinalet në dy Premier turnetë e gushtit. Edhe më dobët në këto turne ka kaluar kampionia e Wimbledon, dhe mësuesja e Serena Williams në atë finale fantastike, Simona Halep.

Tre emra që mund të befasojnë duhet të jenë Bianca Andreescu dhe amerikanet Madison Keys e Sofia Kenin. Gjersa dy të parat kanë ndarë turnetë Premier në Cincinnati e Toronto, Kenin ka arritur gjysmëfinalet në të dy këto turne. Andreescu ka qenë e mahnitshme edhe në pranverë në turnetë e Amerikës Veriore, por lëndimi e ka shtyrë të humbë pjesën më të madhe të sezonit. E derisa Kenin është në gjeneratën e re të tenisteve, Keys veçse është familjarizuar me grand-slam turnetë duke qenë në gjysmëfinale të Australian Open e Roland Garros, si dhe finaliste para dy viteve në Flushing Meadows.

Por, favoritja më stabile duhet të mbetet australiania Ashley Barty, e cila kur është në formën e saj, është e pandalshme.

US Open në tenis nis sot, më 26 gusht, derisa përfundon në fundjavën e 7 dhe 8 shtatorit, me finalet në ora 21:00 në Eurosport.


 
Të gjitha lajmet nga Tenis