OPINION
Vetëtima e Boltit
Shkruan: BLERIM MYFTIU
5 August, 2017 @12:42
Shpjegimet shkencore pse është më i miri
Në kanalin sportiv mbarëbotëror “Eurosport” në 2 javët e fundit transmetohet promoja paralajmëruese e kampionatit botëror të atletikës, i cili sivjet do të mbahet në Londër në datat 5-13 gusht. Ylli më i madh i ngjarjes është padyshim, rekorderi botëror në shtigjet e shpejta dhe njeriu më i shpejtë i të gjitha kohëve, Usain Bolt. Ai ka paralajmëruar që garat në Londër do të jenë të fundit për të në karrierë, prandaj adhuruesit e mbretëreshës së sporteve, sytë do t’i kenë të orientuar nga xhamajkasi 32-vjeçar.
Trajneri ekspert i shtigjeve të shkurtra, Glen Mills, ishte njoftuar me Boltin në vitin 2004. Bolti ishte kampion botëror në 200 metra për brezat e rinj dhe ishte një sprinter me perspektivë. Millsi ishte i bindur se Bolti do të bëhej një atlet i zoti në 200 dhe 400 metra. Prandaj, këmbëngulte që Bolti të kalonte gradualisht në 400 metra. Por, dëshira e Boltit të ri që të vazhdonte me 200 dhe ta sprovonte veten në 100 metra dukej më e madhe se këmbëngulja e trajnerit. Kërkesës së tij, Bolti i dha vulë duke e thyer në vitin 2007 rekordin botëror 36 vjet të vjetër të bashkëkombësit të tij, Donald Quarriet (nga 19.86 sekonda në 19.75). Pjesa tjetër është histori publike.
Në tri lojëra olimpike verore (2008, 2012, 2016) fitoi 8 medalje të arta nga gjithsej 9 sa ka mundur (u diskualifikua stafeta e Xhamajkës në 4x100 m në lojërat e 2008-s). Në kampionatet botërore që prej 2009-s, gjithsej 4 prej tyre, fitoi 11 medalje të arta nga 12 sa ka mundur (u diskualifikua më 2011 në 100 metra për shkak të startit të parakohshëm). Vetëm dy herë nuk e arriti të artën aty ku garoi, dhe që të dyja herë u eliminua për shkak të gabimeve teknike, jo se ndonjë rob tjetër prej njeriu arriti ta kalonte atë. Vetëm suksesi formal mjafton të thuhet se ka qenë sovran i shtigjeve. Vetëm nëse shikohet fotografia epike nga Lojërat Olimpike të 2016-s kur disa metra para finishit, Bolti e kthen kokën anash dhe i buzëqeshet kamerave, mjafton të shihet se sa i pakonkurrencë ka qenë gjatë tërë 10 viteve të kaluara.
Ai nuk i mban vetëm rekordet botërore në 100 dhe 200 metra. Në të dy disiplinat ai është pronari i nga dy kohëve më të shpejta të vrapuar ndonjëherë. Me stafetën e Xhamajkës në 4x100 metra, ai ka thyer tri herë rekordin botëror. Dhe, Bolti, është rekorder i 200 metrave për grupmoshat 15, 16, 17 dhe 18-vjeçare.
Kur kemi njerëz të veçantë si Bolti, ata e zgjojnë edhe kërshërinë e shkencëtarëve, që mundohen t’i japin shpjegim shkencor arritjeve kulmore apo asaj se çka e dallon Boltin nga të vdekshmit e tjerë të zakonshëm. Në qershor të sivjetmë, hulumtuesit e një universiteti amerikan (ekspertë në biomekanikën e sprintit), pas ekzaminimit të vrapit të Boltit, kanë konstatuar se këmba e djathtë e tij duket se e prek shtegun me forcë maksimale për 13% më të lartë se këmba tjetër. Kurse, me këmbë të majtë ai qëndron rreth 14% më gjatë në kontakt me shtegun se sa me këmbën e djathtë. A është kjo asimetri që e bën Boltin njeriun më të shpejtë të historisë apo a do të ishte Bolti edhe më i shpejtë po të mos e kishte këtë asimetri? Këto janë pyetje të pafundme që nuk kanë ende përgjigje të qartë.
Drejtori i laboratorit hulumtues, Peter Weyand, thotë: “Ka mundësi që kjo asimetri të reflektojë mekanizmin adaptues të Boltit ndaj skoliozës. Kjo asimetri e optimizon shpejtësinë e tij. Po të tentonte të korrigjonte, me gjasë kjo do ta ngadalësonte.” Këmba e djathtë e Boltit është për 1.27 centimetra më e shkurtër se e majta.
Usain Bolti është 195 centimetra i gjatë. Atij i duhen vetëm 41 hapa për ta tejkaluar distancën prej 100 metrash, krahasuar me 43 apo 45 të atletëve të tjerë elitë. Ka shpërthim starti të njëjtë me sprinterët më të shkurtër. Pasi e arrin shpejtësinë maksimale në metrin e 60-të apo të 70-të, e mban shpejtësinë më konstant se të tjerët deri në finish. Sipas ekspertëve, gara nuk fitohet nga ai që shpejtohet më së shpejti, por nga ai që ngadalësohet më së ngadalti.
Peter Weyand, në hulumtimin e vitit 2000, shpjegon se nuk është me rëndësi sa shpejt hidhet hapi gjatë vrapimit. Ata që e prekin tokën me forcë më të madhe dhe për kohë më të shkurtër arrijnë shpejtësinë më të madhe. Kështu që, fuqia e prekjes së tokës me hapin arrin pesëfishin e peshës trupore, gjë që i jep ngritje dhe shtytje më të madhe për hapin tjetër. Në rastin e Boltit, kjo fuqi e prekjes/kontaktit me tokën arrin në 450 kilogramë. Ai vetë peshon rreth 95 kilogramë. E tërë kjo fuqi transmetohet në tokë brenda 30 milisekondave.
Sprinti ka qenë disiplina më e popullarizuar e atletikës. Që prej Jesse Owenit që u bë zezaku i parë kampion olimpik (dhe atë para Hitlerit në Lojërat Olimpike të 1936-s në Berlin) deri te Carl Lewisi i cili ishte idhull i fundit i sprintit, Usain Bolti do të mbahet në mend për një kohë të gjatë si më dominuesi i shtigjeve. Kohët e tij janë për momentin në pacenueshme. Sa do t’i rezistojnë kohës, mbetet të shihet.