ANALIZË
ZEMRA E DEMIT
Shkruan: Blerim Myftiu
31 January, 2022 @10:28
Mosha 35-vjeçare. Nëse jeni mjek, është një moshë në të cilën sapo keni përfunduar specializimin në një fushë të ngushtë apo jeni specialist entuziast në vitet e para të të qenit ekspert, me një karrierë afatgjatë përpara. Është njëherësh mosha e fundit në të cilën mund të hidhni hapin në jetën akademike nëse këtë do ta bëni në Universitetin e Prishtinës, ngase statuti i këtij universiteti nuk ju pranon në gjirin e vetë pas këtij numri.
Në këtë moshë mund të jeni duke krijuar familje dhe madje një krijesë e vogël mund t’i shqiptojë fjalët e para të veta duke ju quajtur baba. Qoftë të jeni arkitekt, ekonomist apo jurist, me gjasë në të 35-tat do të filloni të merrni krah dhe shumë shtigje të jetës mund të jenë duke u hapur. Por, nëse jeni sportist, atëherë mosha 35-vjeçare është viti ku me gjasë karriera juaj është duke perënduar dhe tanimë planet për pensionim janë duke u bërë. Shumë prej futbollistëve në këtë moshë do të zgjedhin të kalojnë në ligën turke, greke apo kineze për të luajtur edhe një-dy stinorë ekzotikë për miliona euro e dollarë, kurse brazilianët dhe argjentinasit do të rikthehen në klubet e tyre amë për t’u përshëndetur nga loja aktive.
Kjo nuk vlen për majorkasin e lindur, demin spanjoll, energjinë e pashtershme të zemrës së demit – Rafael Nadalin. Pas humbjes në gjysmëfinalen e vitit të kaluar të Roland Garrosit nga kampioni i mëvonshëm, Novak Djokovic, Nadali vendosi të tërhiqej nga Wimbledoni dhe Lojërat Olimpike verore. Vazhdoi të anulonte pjesërmarrjen në turnetë e radhës dhe pas tërheqjes edhe nga Grand slami i fundit i vitit, US Open, pikëpyetjet për karrierën dhe fundin eventual u shtuan. Nadali bëri publik problemin me shputën e majtë dhe iu nënshtrua intervenimit. Rikthimi ishte vënë në pikëpyetje dhe pikëpyetja u bë e madhe pasi njoftoi se në dhjetor ishte infektuar edhe me Covid-19.
Trendi në rënie i fitoreve në vitet e fundit, largimi nga Top-3 i ranglistës botërore, trofetë e fituara vështirë jashtë korteve me dhe, qenë argumente bindëse që duke marrë parasysh edhe moshën 35-vjeçare, të mendohej nëse tok me Roger Federerin, kësaj dysheje fantastike, ndoshta edhe më të mirë të të gjitha kohëve, po i vinte fundit. Derisa rikthimi i “postierit zviceran” në fushë është ende i paqartë, Nadali bëri plan që në kontinentin jugor të niste një 2022-sh rilindjeje për veten.
Derisa numri një i botës, Djokovici zgjodhi të mos vaksinohej ndaj Covid-19 dhe i futi therrë këmbës së vetë pa nevojë duke u përplasur me autoritetet australiane për vizë dhe hyrjen në shtet, Nadali i vaksinuar garoi në fillim të muajit në turneun përgatitor të Melburnit, ku arriti të fitonte titullin e 89-të ATP në karrierë. Hyri në turneun real të Melburnit si bartësi i gjashtë, karshi gardës së re të tenistëve, më të mirë të ranguar momentalisht se ai dhe gjithsesi më energjik, si Medvedev, Zverev, Tsitsipas e Berretini.
Në finalen kundër rusit Medvedev, humbi dy setet e para, në të tretin humbi shërbimin, seti i tretë i shkoi dhe u kthye, të katërtin e mori me më pak vështirësi, por në të pestin tregoi që shefi i vjetër është ende në qarkullim. Ishte më i vendosur, më i freskët, më energjik, goditjet i shpejtoi në një çast për 20 km/orë dhe përkundër dallimit të moshës, e tregoi dallimin e vërtetë – atë të klasit dhe të talentit, atë të vendosmërisë se pa thënë Nadali se po pensionohet, Nadali nuk do të mposhtet në terren.
17 vite pas Grand slamit të parë të fituar, pohoi që ky i fundit ishte më emocionues. “Në fazat e mëvonshme të karrierës, mendoj se gëzoheni dhe kënaqeni më shumë me trofetë, sepse e dini se rastet do të jenë më të rralla. Kur fitoni Grand slam në moshën 19-vjeçare, natyrisht se është ndjenjë speciale, por nëse vazhdoni të luani mirë, e dini se do të keni rast sërish. Por sot, nuk e dini nëse do të përsëritet. Kënaqësia personale është më shumë se më herët.”
Tanimë ka një Grand slam më shumë se Federer dhe Djokovic. Roland Garrosi i tij i preferuar është i radhës. Terreni me dhe dhe ecja drejt triumfit të 14-të në Paris! Pse jo?
Vamos el toro!