SPORTE OLIMPIKE
Abetarja olimpike: Patinazh i shpejtë
Shkruan: LUAN MORINA
8 February, 2018 @20:00
Ngjashëm si atletika dhe noti, edhe patinazhi i shpejtë zhvillohet në dy terrene. Patinazhi i shpejtë në shtigje të shkurtra ka një histori më të re edhe në Olimpiada, derisa patinazhi i shpejtë është njëri ndër gjashtë sportet që kanë qenë pjesë e çdo Olimpiade, që nga Chamonix në vitin 1924. Femrat kanë nisur 36 vite më vonë.
PATINAZHI I SHPEJTË
Për herë të parë në PyeongChang do të ketë garë të startit masiv (mass start). Tek kjo disiplinë, për dallim prej tjerave ku janë maksimum 2 garues, janë 24 patinë. Janë 16 rrathë, që në total sjellin distancën prej 6400 metra. Gara më e shkurtër është në 500 metra, kur të dy garuesit nisin garën me start të barabartë, sikur gara 100 metërshe në atletikë.
Në distancat tjera që janë 1000m, 1500m, 5000m dhe 10,000m, starti niset nga pozita që në fund të rrethit të parë do të barazonte distancën, pasi terreni është i ndarë në dy rrethe ku ai i brendshmi është më i shkurtë nga rrethi i jashtëm. Në çdo rreth garuesit ndërrojnë shtigjet, në anën e kundërt me linjën e finishit.
Pos këtyre garave, edhe gara në ndjekje ekipore është pjesë e programit olimpik.
Zanafillën patinazhi i shpejtë e ka pasur rreth 1000 vite më parë kur njerëzit në Skandinavi dhe Holandë kishin nisur të përdorni patina nga eshtrat e kafshëve për të kaluar lumenjtë dhe liqenet e akullta. Derisa skandinavët nuk kanë pasur shumë suksese viteve të fundit, holandezët bashkë me gjermanët vazhdojnë të dominojnë këtë sport. Kjeld Nuis, Sven Kramer tek meshkujt e Ireen Wuest e Joriet ter Mors, që të gjithë holandezë janë ndër emrat që duhet të keni parasysh, pa lënë anash edhe amerikanët e kinezët.
PATINAZHI I SHPEJTË në shtigje të shkurtëra
Ndërkohë garat në patinazh të shpejtë në shtigje të shkurtëra kanë një histori më të shkurtër olimpike. Edhe pse është paraqitur në Lake Placid në vitin 1932, ky sport ka munguar në Olimpiada deri në Calgary në vitin 1988. Janë vetëm katër disiplina – 500m, 1000m, 1500m për të dy gjinitë, dhe 5000m stafetë për meshkujt, e 3000m për femrat.
Dallimi qëndron tek terreni i akullt, ku në këtë sport garojnë deri në katër patinë në grupe, pa shtigje të përcaktuara, dhe më kryesorja është që rrethi është 111.12m për dallim prej rrethit 400m në patinazh të shpejtë.
Rrethi është rreth 60m i gjatë dhe 30m i gjerë, duke bërë që për garën në 500m nevojiten katër rrathë e gjysmë, derisa për 5000m stafetë tek meshkujt 45 rrathë.
Apolo Ohno është rekordmen me tetë medalje të arta olimpike, rekord i barazuar nga Viktor Ahn. Rusi i natyralizuar ishte lënë jashtë kombëtares së Koresë Jugore në vitin 2010 duke u kthyer në Sochi si rus për të fituar tri. Amerikanët që nga Ohno nuk janë në formë, duke lënë Ahnin gati të pakonkurrent, dhe kinezët Wu Daijing e Han Tianyu si të vetmit rivalë të denjë. Tek femrat, Fan Kexin dhe koreanet Choi e Shim janë në mesin e favoriteve.
Por, favoritët mund të befasohen edhe nga autsajderët më të mëdhenj. Steven Bradbury në Olimpiadën e vitit 2002 kishte fituar të artën në 1000m duke shfrytëzuar gabimet e të tjerëve, të cilët ose rrëzoheshin ose përjashtoheshin.
Një video interesante për finalen mund ta gjeni në këtë video:
e rrugëtimi i tij i plotë në: