SPORTE OLIMPIKE
Abetare Olimpike: Sajat
Shkruan: LUAN MORINA
7 February, 2018 @20:00
Në pjesën e dytë të shekullit XIX, në Zvicër sporti me saja kishte nisur të merrte hov. Sipas legjendës, garuesit ishin shtyrë për më të mirin duke u lëshuar në sajë ulur. Mirëpo, në vitin 1887 një garues në St. Moritz, vendos të lëshohet në saj me kokën para. Koha e tij ishte dukshëm më e mirë se e tjerëve, duke nisur një revolucion në sportin e sajave, më saktë skeletonit i cili edhe tani realizohet me kokën para.
Fjala ‘skeleton’ supozohet se rrjedh nga adaptimi në anglisht i fjalës skele që në origjinal në norvegjishte është ‘kjaelke’ e përkthehet ‘sajë akulli’.
Janë tri lloje të sporteve me saja – skeleton, luzh dhe bobsled.
SKELETON
Skeletoni ka sajën më rëndë për dallim prej luzhit, dhe garuesit lëshohen me kokën para. Në luzh është e kundërta, këmbët janë para dhe saja është më e ngritur. Në bobsled, janë dy ose katër garues, dhe saja është më e ‘mobilizuar’.
Skeletoni në program të Lojërave Olimpike para vitit 2002 ka qenë vetëm në dy Olimpiadat në Chamonix (1924) dhe St. Moritz (1948). Kampioni aktual olimpik, rusi Alexander Tretiyakov ishte degraduar nga ky titull për shkak të dopingut. Tek femrat, Lizzy Yarnold ka vazhduar traditën britanike të medaljeve olimpike.
BOBSLED
Derisa skeletoni është sport vetëm individual, bobsled është sport vetëm ekipor. Edhe ky është sport me saje dhe ngjashëm sikur skeletoni ka origjinën në Zvicrën e shekullit XIX. Por, për dallim prej skeletoni, ka qenë pjesë e programit olimpik pandërprerë që nga Chamonix. E legjenda për bobsled thotë se zviceranët kanë ngjitur dy saje skeletoni dhe i kanë vënë një timon duke krijuar ‘bobsajen’ e parë.
Ngjashëm si në skeleton, edhe në bobsled kampionit rus në dyshe dhe katërshe i janë marr të artat për shkak të dopingut. Në Sochi tek femrat titulli në dyshe u ka takuar kanadezeve.
LUZH
Në skeleton dhe bobsled, garuesit marrin hov me vrap për t’u hedhur mbi e në sajë para linjës së caktuar. Në luzh, që nga fillimi garuesit janë në sajë.
Si të dyja sportet me saje të përmendura më lartë, edhe luge ka origjinën në Zvicër, edhe atë nja tre shekuj më parë. Në shekullin XVI thuhet se është përdorur si mjet transporti, para se të shndërrohet në sport rekreativ për vizitorët e hoteleve në Alpe. Origjina e fjalës vjen nga frëngjishtja ku luge ka kuptimin e sajës.
Në Lojërat Olimpike është shfaqur në Innsbruck në vitin 1964, ndërkohë gjermanët dominojnë viteve të fundit, duke mbrojtur titujt në të katër disiplinat – individuale për të dy gjinitë, dyshe meshkujt dhe ekipore që është kombinim kohor i të triave.
PESHAT
Luge është gara më e shpejtë me saje me shpejtësi deri 130kmh. Kjo mundësohet për shkak të peshës më të ultë të sajës – 21-25kg për garat individuale, dhe deri 25-30kg për dyshet.
Në skeleton, 43kg është pesha maksimale për meshkuj dhe 35kg për femrat. Së bashku me peshën e garuesit, saja nuk guxon të kaloj 115kg tek meshkujt dhe 92kg tek femrat. Peshat minimale në bobsled për dyshet e meshkujve janë 170kg, 165kg për dyshet e femrave dhe 210kg për katërshet e meshkujve.
Që të tri sportet kërkojnë nga katër runde në secilën disiplinë. Garat në secilën disiplinë zhvillohen përgjatë dy ditëve, me nga dy lëshime secilën ditë. Koha e përgjithshme mblidhet për të dhënë fituesin. Në rast të shkëputjes së garuesit me sajën, ai automatikisht diskualifikohet nga gara.