SKIJIM
Adea Haxhidauti, karrierë e filluar me suksese
28 January, 2016 @14:18
Edhe pse deri tash jo një nga sportet më të zhvilluara në Kosovë, skijimi po vazhdon e po rritet me kalimin e viteve. Disa shkolla të reja të skijimit janë hapur viteve të fundit dhe po ashtu edhe gara të reja janë organizuar nga Federata e Skijimit.
Klubi i skijimit “Gjakova” është një nga klubet më të reja të këtij sporti. Në krye me trajnerët Artan Bunjaku dhe Kujtim Rudi, ky klub e ka filluar vitin me 7 anëtarë, por suksesi nuk ka munguar.
Në garën “Kupa e dëshmorëve të kombit”, e cila u mbajt në Bogë para dy javësh, Adea Haxhidauti nga ky klub fitoi vendin e parë, duke u cilësuar nga organizatorët si një skitare e cila mund ta përfaqësojë Kosovën në një të ardhme. Adea bën pjesë në kategorinë juniore dhe përveç vendit të parë në Bogë, javën e kaluar ajo fitoi vendin e dytë në Kampionatin e Kosovës të organizuar në malet e Brodit. Përveç saj, në garën e zhvilluar në Bogë, medalje morrën edhe dy anëtarë tjerë të klubit të skijimit “Gjakova”.
Ky është klubi i dytë i skijimit i hapur në Gjakovë, meqenëse klubi “Pashtriku” ekziston tash e sa vite.