ANKESA E BARDHEKALTËRVE NUK KALON

Foto: KBTrepca/ fb
Ankesa e Prishtinës për treshen e Cottonit, refuzohet nga KG!
29 April, 2025 @16:09
Prishtinës nuk i ka kaluar ankesa në Komision të Garave, për tre pikëshin e diskutuar të lojtarit të Trepçës, Tekele Cotton. Prishtina u ankua se trepikëshi u shënua pasi që kishte kaluar koha e aksionit.
Ndërsa në vendimin e KG-së është shkruar që dy gjyqtarë nuk kanë konstatuar shkelje në momentin e atij aksioni dhe pikët janë pranuar si të rregullta në këtë përballje.
Kjo ndeshje, Trepça - Prishtina, ishte dueli i tretë i serisë gjysmëfinale të playoffit të Superligë, ku mitrovicasit fituan dhe morën epërsinë 2-1 në seri. Finalist bëhet ekipi që siguron tre fitore së pari. Ndeshja e radhës luhet në Prishtinë.
“III. Pasi në çerekun e parë, trajneri i KB Sigal Prishtina kishte shfrytëzuar të drejtën për Challenge, dhe si rezultat, gjyqtarët nuk kishin mundësi të shqyrtonin incizimet përmes IRS, pasi që sipas Fiba Baskteball Rules 2024 në këtë situatë nuk mund të përdorin rishikimin e IRS.
IV. Pas shqyrtimit të ankesës dhe analizës së raportit zyrtar të ndeshjes dhe incizimeve përkatëse, si dhe raportit të gjyqtarëve, Komisioni i Garave ka marrë vendim që REFUZON ankesën e KB Sigal Prishtina.
V. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e publikimit.,” ka shkruar në vendimin e KG-së.
Ndërkaq, si arsyetim KG ka shkruar:
“Gjatë vendimmarrjes lidhur me Vendimin Nr. 55/2024-25, Komisioni i Garave ka marrë parasysh faktet në vijim:
(a) Komisioni i Garave ka shqyrtuar ankesën e paraqitur nga Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina, të paralajmëruar me datë 26.04.2025 dhe të dorëzuar zyrtarisht me datë 28.04.2025.
(b) Pas shqyrtimit të ankesës, analizës së incizimeve të ndeshjes, raporteve të gjyqtarëve dhe në përputhje me Rregullat Zyrtare të Basketbollit FIBA 2024, Komisioni konstatoi sa vijon:
• Topi ishte ende në duart e lojtarit në momentin kur ra sinjali i orës së goditjes (shot clock), fakt i dëshmuar përmes sinjalit vizual (drita e kuqe) dhe atij akustik. Nëse kjo situatë do të ishte konstatuar nga gjyqtarët në kohë reale, gjuajtja do të duhej të shpallej e pavlefshme.
• Megjithatë, rregulloret në fuqi kufizojnë përdorimin e mjeteve teknologjike për korrigjimin e situatave të tilla në këtë fazë të ndeshjes. Prandaj, vendimi për të njohur ose refuzuar vlefshmërinë e koshit mbetet në diskrecionin e gjyqtarëve në momentin e ndodhur dhe nuk mund të ndryshohet pas përfundimit të aksionit.
• Duke marrë parasysh se trajneri i KB Sigal Prishtina kishte shfrytëzuar më parë të drejtën për Head Coach Challenge (HCC) gjatë çerekut të parë pa sukses, dhe në përputhje me rregullin F.4.2 të Rregullave Zyrtare të Basketbollit FIBA 2024, nuk kishte më të drejtë të kërkonte sfidë për situata të tjera gjatë pjesës së mbetur të ndeshjes.
• Në situatën e ndodhur në çerekun e tretë (Ç-III / 05:05), gjyqtarët nuk kishin të drejtë të përdornin sistemin IRS (Instant Replay System), pasi rregulla F.3.2 tek Rregullat Zyrtare të Basketbollit FIBA 2024 e lejon përdorimin e IRS vetëm kur ora e lojës tregon 2:00 minuta ose më pak në çerekun e katërt apo gjatë kohës shtesë.
• Përdorimi i IRS jashtë kushteve të lejuara përbën shkelje të rregullave dhe cenim të integritetit të garës. Prandaj, pa të drejtë për rishikim video dhe pa të drejtë për sfidë nga trajneri, vendimi për vlefshmërinë e gjuajtjes mbetet përfundimisht në diskrecionin e gjyqtarëve në fushë dhe nuk mund të ndryshohet më pas.
(c) Andaj, Komisioni i Garave, duke u bazuar në të gjitha të cekurat më lart, merr këtë vendim:
-Refuzohet ankesa e KB Prishtina si e pabazuar në rregullore.
-Rezultati i ndeshjes mbetet në fuqi.”