XHUDO
“Asnjë rivale e denjë për Majlinda Kelmendin”
10 August, 2017 @15:25
Pak ditë para Botërorit të Xhudos, që këtë vit mbahet në Budapest të Hungarisë mes datave 28 gusht e 3 shtator, JudoInside ka shkruar një artikull në lidhje me Majlinda Kelmendin dhe kundërshtaret e saj të mundshme për titullin e numrit 1 të Botës në kategorinë nën 52 kilogramë.
Në këtë garë Majlinda futet si favorite absolute, ndërsa madhështinë e Majlindës JudoInside e përshkruan me këtë fjali: “Majlinda është aq dominuese në këtë kategori, saqë të gjitha garueset e tjera janë outsider-e.”
Një nga kundërshtaret më të forta të Majlindës sivjet pritet të jetë Erika Miranda, e cila është xhudistja e fundit që e mposhti Majlindën. Këtë humbje Majlinda e pësoi në Abu Dhabi në vitin 2015, ndërsa bashkë me Erika Mirandan, xhudistja pejane u stërvit në Slloveni muajin që lamë pas, duke dëshmuar raportet e mira që këto dy xhudiste kanë mes vete.
Sa i përket Majlindës, ajo deklaroi që rivale të fortë e sheh edhe rusen Natalia Kuziutina. Kuziutina e kishte mposhtur 2 herë Majlindën në vitin 2010, vit në të cilin Majlinda ishte në fillimin e karrierës, ndërsa në 3 takimet që ndodhën më vonë, Majlinda fitoi 3 herë.
Tjetër rivale ‘e fortë’ për Majlindën mund të jetë japonezja Ai Shishime, e cila është e katërta në listen e favoriteve për të fituar medaljen e artë në këtë Botëror. Me Shishimen Majlinda nuk është ballafaquar asnjëherë deri më tash. Japonezja tjetër që merr pjesë është edhe Natsumi Tsunoda, fituesja e Tokyo Grand Slam 2016. Tsunoda e kishte mposhtur Erika Mirandan dhe Distria Krasniqin, mirëpo më pas u mposht pikërisht nga Majlinda Kelmendi në Paris Grand Slam 2017.
Përveç Majlindës, Kosova në këtë kategori përfaqësohet edhe nga Distria Krasniqi, e cila gjithashtu mund të jetë kandidate për ndonjë nga medaljet e këtij Botërori.
Sipas JudoInside, çiftet çerekfinale pritet të jenë:
Majlinda Kelmendi vs. Amandine Buchard
Erika Miranda vs. Ecaterina Guica
Gili Cohen vs. Distria Krasniqi
Larisa Florian vs. Ai Shishime