ÇIKLIZËM

Foto: Alban Delija për Borozanin
Delija, përfaqësues i Kosovës në Kampionatin Ballkanik
27 June, 2016 @13:19
Zhvillimi i sportit të çiklizmit në Kosovë po vazhdon gjithnjë e më tepër. Pas organizimit të “Downhill Gjeravica 2016” në fillim të muajit qershor, një lajm i mirë vjen edhe për çiklizmin rrugor të Kosovës.
Në Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit, i cili këtë vit mbahet në Shqipëri më datat 4 e 5 korrik, Përfaqësuesja e Kosovës do të përfaqësohet nga Alban Delija, anëtar i klubit të çiklizmit “Gjakova 137”. Delija njihet si çiklisti më i mirë në Kosovë, duke qenë 9 herë kampion i Kosovës në 16 vitet e fundit.
Kampionati do të përbëhet nga dy disciplina: të kronometrit rrugor dhe atij individual, ndërsa i gjithë aktiviteti do të zhvillohet në qytetin e Elbasanit. Gara e parë, e gjatë 35 kilometra, fillon më 4 korrik, kurse gara e dytë zhvillohet më 5 korrik dhe ka gjatësinë e 180 kilometrave.
Përveç kampionit Delija, Kosova në këtë kampionat do të jetë pjesë edhe në garat për grupmoshat nën 23 vjet. Në këtë kategori Kosova përfaqësohet nga Qëndrim Guri e Egzon Misini nga Ferizaji dhe Luan Haliti nga Prizreni.