BASHKIMI NJOFTOHET ME HUMBJE
Duke dominuar, kampioni ia shkakton humbjen e parë Bashkimit
2 November, 2024 @21:45
Trepça ka luajtur sot në stilin e kampionit, ndërsa me nismën thuajse perfekte në çerek të parë nuk i ka lënë shpresa aspak kundërshtarit në vazhdim të ndeshjes. Ekipi i Adis Beciragicit ishte përgatitur mirë për lojë dhe këtë e tregoi që prej minutës së parë të ndeshjes, ndërsa pas çerekut të parë 24-7, fundi i ndeshjes e priti Bashkimin me disfatë me 30 pikë dallim, 82-52.
Trepça fitoi secilin çerek të lojës, ndërsa basketbollistët e saj treguan forcën në “Minatori” për t’ia shkaktuar humbjen e parë liderit të kampionatit, Bashkimit, që deri sot ishte i pamposhtur.
Larry Thomas me 15 pikë të shënuara, 4 asistime e 7 kërcime ka qenë më i dalluari në fitore, ndërsa 15 pikë, 9 asistime e 4 kërcime i bëri edhe Malik Johnson. Mikaile Tmusic i dha 12 pikë, kurse 11 të tjera i shtoi Sam Hunter. Saktësia e mitrovicasve si ekip, për tre pikë sonte ka qenë 40% ku prej 22 tentimeve shënuan 9.
Bashkimit të drejtuar nga verimaqedonasi Darko Radulovic nuk i eci asgjë! Asnjë lojtar nuk arriti të shënojë as pikë dyshifrore, derisa Jayveous McKinnis me 9 pikë ishte më efikasi! Shuti për tre pikë, me vetëm 13% saktësi si ekip, ku shënuan vetëm 3 herë prej 22 tentimeve gjatë ndeshjes!
Fitorja, bën që Trepça t’i afrohet edhe më Bashkimit në krye të renditjes, ndërsa ekipi i Beciragicit tash ka bilanc 6-2, derisa prizrenasit kthehen në shtëpi kokulur me një performancë për tu harruar, për bilancin 7-1.