WIMBLEDON 2016

Eliminohet Djokovic
2 July, 2016 @18:11
Tenisti numër një i botës, Novak Djokovic, është eliminuar nga turneu i Wimbledonit sot.
Ai është befasuar në vazhdimin e ndeshjes ndaj amerikanit Sam Querrey, që e mposhti serbin në katër sete.
Querrey dje avancoi 2-0 në sete, duke pasur një ritëm thuajse perfekt në ndeshje. Mirëpo, shiu ndërpreu befasinë e tij. Kjo doli të jetë e përkohshme, edhepse kritikët besuan se Djokovic do të kthehet sot, kur u caktua vazhdimi i ndeshjes pas shiut.
Serbi rikthehet furrishëm sot duke e fituar setin dhe e bën rezultatin e përgjithshëm 2-1, në të mirë të Querreyt.
Sidoqoftë, amerikani 28 vjeç i ka treguar opinionit se setet e fituara dje nuk kanë qenë befasi e as ditë e keqe për numrin një, por lojë e tij e mirë, duke e fituar setin e katërt dhe duke e çuar në shtëpi Djokovicin, me 7-6 në setin e katërt dhe rezultat të përgjithshëm 3-1. Querrey u dallua me sulme dhe shërbime gjatë lojës së tij, të cilave Djokovic nuk arriti t’i kundërpërgjigjej.
Me këtë humbje, Djokovic ka humbur rastin për të bërë Golden Slam e gjithashtu edhe Year Slam, pasi që nuk arriti të fitojë katërt turnetë e mëdha botërore brenda vitit.
Djokovic gjendej në pjesën e skemës që e dërgonte në gjysmëfinale ndaj Roger Federerit, i cili tani shpreson për rikthim të madh në Wimbledon.
Por, disfata e serbit tani më i jep mundësi të gjithë tenistëve tjerë të shpresojnë në triumf në turneun britanik.
E fituesi i sotëm, Querrey, në raundin e katërt do të përballet me francezin Nicolas Mahut.