AUSTRALIAN OPEN 2019
Hidhet shorti për Australian Open 2019
10 January, 2019 @11:18
Katër ditë para se t’ia nis Grand Slami i parë i vitit 2019, është hedhur shorti i garës, ndërsa pritet të shihen ndeshje interesante te disa tenistë.
Australian Open fillon më 14 janar 2019. Fitues i vitit të kaluar është Roger Federer, i cili bashkë me Novak Djokovicinin dhe Roy Emersonin janë tenistët me më së shumti tituj individual të fituar në Melbourne, nga 6 secili.
Duelet e raundit të parë
Zvicerani Federer në raundin e parë të garës do të ndeshet me uzbekun Denis Istomin, ndërsa spanjolli Rafael Nadal me James Duckworthin. Djokovic do të takohet me “të kualifikuarin”.
Nëse Federer dhe Nadal kalojnë të gjitha raundet, ata do të ndeshen në gjysmëfinale të garës, pasi që janë në gjysmën e njëjtë të rrugëtimit për në finale.
Nga të tjerët, Andy Murray takohet me Roberto Bautista Agut, ndërsa Kyle Edmund me Tomas Berdychin. Dueli më interesant i raundit të parë pritet të jetë mes Nick Kyrgios dhe Milos Raonicit. Por, nxehtë pritet të jetë edhe në ndeshjen mes Marin Cilicit dhe Bernard Tomicit.
Finalja e Australian Open 2019 zhvillohet më 27 janar 2019.