PAS TRIUMFIT

Majlinda është Kosova
EDITORIAL
21 April, 2016 @20:37
Xhudistja nga Peja, Majlinda Kelmendi, sot bëri atë që e bën krejt bota. Por kjo bëhet kur je E FORTË.
Dhe Majlinda Kelmendi bashkë me trajnerin Driton Kuka dhe krejt ekipin kosovar në Rusi - bënë atë që nuk arriti askush ta bëjë për këtë vend që nga pavarësimi i tij.
Refuzuan pjesëmarrjen në gara pa flamur, pa emër të vendit. Kjo bëri bujë shpejt në mediat ndërkomëbtare - sepse Majlinda është kampione e dyfishtë e Botës në xhudo.
Kosova është afro 11 mijë kilometra katror e madhe, ndërsa Rusia mbi 17 milionë kilometra katror. Superfuqia si ekonomike ashtu edhe politike u detyrua të pranojë kushtet e Kampiones Botërore.
Majlinda vendos kushte. Po, vendos. Padyshim që vendos. Vendos sepse është më e forta në botë për zanatin e saj. E kur je më e forta, të tjerët t’i pranojnë kushtet. Sepse je më e forta.
Dhe pastaj Majlinda përsëri kreu perfekt punën e saj mbi tatami. Triumfoi në finale duke e mposhtur francezen Priscilla Gneto me Ippon për të fituar titullin e më të mirës në Europë për të dytën herë.
Flamuri i Kosovës valoi në Rusi mbi flamurin francez, por edhe atë rus.
Majlindë, të falemnderit së pari ty, pastaj edhe gjithë ekipit kosovar të xhudos duke filluar nga trajneri Kuka, Nora Gjakova (që fitoi medaljen e bronztë), Distria Krasniqit e Akil Gjakovës.
Majlindë, të falemnderit!