VOJEBOLL - KOMBËTARJA E KOSOVËS
Martin Nemec, përzgjedhës i ri i Kosovës
Teksti: FVK
31 May, 2024 @10:26
Federata e Volejbollit e Kosovës ka arritur marrëveshje duke emëruar sllovakun, Martin Nemec, si përzgjedhës i ri i Kombëtares së Kosovës në volejboll.
Ky është një hap i rëndësishëm për përforcimin e ekipit kombëtar dhe rritjen e nivelit të volejbollit në vend.
Martin Nemec është një emër i njohur në botën e volejbollit.
Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si lojtar dhe trajner, Nemec sjell me vete një përvojë të gjerë ndërkombëtare.
Ai ka luajtur për disa prej ekipeve më të mira në Evropë dhe ka trajnuar ekipe në ligat më të njohura të kontinentit.
Përveç kësaj, ai është njohur për aftësitë e tij taktike dhe për qasjen e tij inovative ndaj stërvitjes dhe zhvillimit të lojtarëve.
Në një deklaratë të bërë sot, Nemec shprehu entuziazmin e tij për sfidën e re: “Jam i nderuar dhe i emocionuar që jam emëruar përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në volejboll. E shoh një potencial të madh në këtë ekip dhe jam i përkushtuar që të punoj fort për të arritur sukseset që meriton ky vend.”
Ky emërim shënon një hap të ri për zhvillimin e sportit të volejbollit në Kosovë dhe Federata shpreson që me përvojën dhe udhëheqjen e Nemec, Kombëtarja do të arrijë rezultate të shkëlqyera në kompeticionet e ardhshme ndërkombëtare.