NGA INFORMATORI

Fotot: FBK
Nga ndeshja e katërt, Trepça dënohet për publikun, te Bashkimi disa teknike!
16 May, 2025 @13:43
Është publikuar edhe Informatori i ndeshjes së katërt i serisë finale të playoffit të Superligës, i përballjes ku Trepça mposhti Bashkimin 80-74. Duke fituar këtë ndeshje, Trepça bëri epërsinë në seri finale 3-1 dhe tashmë mitrovicasve i duhet edhe një fitore për tu shpallë kampion.
Bashkimi është vendas në përballjen e radhës, që luhet të dielën në “Sezai Surroi”, ku do të kërkojë me patjetër fitoren, pasi që në të kundërtën seria mbaron dhe xehetarët shpallen fitues të titullit.
Kurse nga ndeshja e katërt, e zhvilluar të mërkurën që e lamë pas në “Minatori” Komisioni i Garave ka dënuar Trepçën si klub me 700 euro për shkak të thyerjes së nenit 51.6 të PG-së. Kjo, për animin, sjelljen josportive, sharjen në korr të shikuesve ndaj ekipeve, gjyqtarëve, zyrtarëve, etj.
Ndërkaq te Bashkimi janë dënuar individët. Trajneri Sasa Jankovic me 300 euro për gabim teknik, Jayveous McKinnis me 100 euro për gabim teknik, kurse Lejson Zeqiri me 200 euro për provokim të shikuesve/ gjeste josportive nga lojtari drejtuar shikuesve/anëtarëve të klubeve tjer/zyrtarëve, etj.
Përballje e pestë e serisë finale në “Sezai Surroi” është paraparë të fillojë prej orës 19.00 të dielën më 18 maj. Trepçës pra, i duhet vetëm edhe një fitore për të mbrojtur titullin, kurse Bashkimi tash e tutje vetëm fitore, nëse ende kërkon titullin.
Kujtojmë, Bashkimi ka qenë lider i stinorit të rregullt dhe ka pasur epërsinë e terrenit vendas në serinë finale. Mirëpo, Trepça këtë epërsi e shkriu me fitore në ndeshjen e tretë të serisë të luajtur në “Sezai Surroi”.
SKEMA DREJT TITULLIT dhe ORARI I NDESHJEVE