REKORD FITUESJA E KUPËS, E SHTOI EDHE NJË NË VITRINA

Foto: FCPrishtina/ fb
Albin Krasniqi vendimtar, Prishtina fiton Kupën dhe siguron garat evropiane!
22 May, 2025 @22:27
Prishtina ka shënuar fitore në finale të Kupës së Kosovës, duke e mposhtur Llapin me rezultat minimal 1-0 [Albin Krasniqi 59’]. Rekord-kampionia e Kosovës, numrin e trofeve të Kupës e ka ngritur në nëntë tashmë, ndërsa festa ishte e madhe pas triumfit të bardhekaltërve të drejtuar nga Arsim Thaqi në finale.
Fitorja, pos tjerash ia siguroi Prishtinës edhe daljen në gara evropiane për verën në ardhje, ku kryeqytetasit do të tentojnë mundësitë për të bërë hap të rëndësishëm në kualifikime për Europa League. Aty, bardhekaltërit do të nisin garimin nga raundi i parë i kualifikimeve.
Dilema për ndarjen e drejtësisë në këtë finale nuk kishte, pasi që gjyqtari kryesor nga Gjermania Robert Schroder me ndihmësit e tij treguan autoritet dhe vendime të prera gjatë zhvillimit të lojës, kurse në tribuna nga afër finalen e përcolli edhe selektori i Kosovës, Franco Foda.
Golin e vetëm dhe vendimtar për Prishtinën e realizoi mesfushori Albin Krasniqi në minutën e 59-të, me një goditje të fuqishme nga zona, e cila u devijua nga mbrojtësi i Llapit, Diar Vokrri, dhe përfundoi në rrjetën e portierit kroat, Marijan Çoric.
SKEMA - RRUGËTIMI DREJT FINALES
Pak çaste para golit, Llapi mbeti me një lojtar më pak, pasi mesfushori Arbnor Ramadani u përjashtua pas një ndërhyrje të ashpër në mesfin e fushës, duke ia vështirësuar punët skuadrës së tij në vazhdim të ndeshjes.
Pavarësisht angazhimit dhe përpjekjeve, Llapi nuk arriti ta gjejë golin e barazimit dhe kësisoj mbetet me dy trofe të fituar në këtë garë, ndërkohë që për Prishtinën kjo ishte finalja e tretë radhazi në Kupën e Kosovës. Në përgjithësi, Prishtina dominoi ndeshjen si me posedim ashtu edhe me raste duke nisur që prej pjesës së parë të saj. Llapi aty këtu, krijonte kryesisht në saje të ikjeve të Ardit Tahirit, që nuk mjaftonte i vetëm karshi mbrojtjes bardhekaltër. Në anën tjetër, në “Fadil Vokrri” me mbi 7 mijë shikues në tribuna, Prishtina luante me top më shumë dhe gjithmonë ishte në kërkim të krijimit të asaj që në pjesë të dytë edhe siguroi triumfin dhe gëzimin e madh te prishtiansit.