QETË NË GJILAN

Derbi gjilanas, nuk prodhon
17 May, 2025 @23:03
Shterp deri në fund të ndeshjes ishte derbi i madh gjilanas që po pret shpresë t’i kthehet atmosfera e vjetër e derbit kur t’iu rinovohet stadiumi! Gjilani në fund shumë më kërkues, por Florian Smakiqi me dy intervenime të mira siguroi barazimin për kampionen e re të Superligës, Dritën. Ndeshja përfundoi Gjilani - Drita 0-0!
Gjilani për një moment iu gëzua golit, kur Almir Aganspahic shënoi me kokë, por krosuesi i golit gjatë pranimit të topit kishte qenë në ofsajd, të cilën e vërtetoi Genc Nuza në komunikim me VAR-in! Derisa Drita bëhet me 71 pikë dhe është kampione tashmë e Kosovës për këtë stinor, Gjilani ka edhe një shpresë.
Ekipi i Ardian Nuhijit duhet të fitojë në xhiron e fundit dhe të shpresojë në humbje të Malishevës, ashtu që të sigurojë garat evropiane. Pas 35 xhirove, Gjilani është i katërti me 50 pikë, ndërsa Malisheva mbi ta ka 52. Gjilani i shkon Ferizajit, ndërsa Malisheva Prishtinës në xhiron e fundit. Kampionia ndërkaq, do të ketë punë të lehtë në festë, në ndeshje ndaj Feronikelit’74 tashmë të rënë nga elita.