PRISHTINA MBIJETON!

Fotot: FCPrishtina/ fb
Ron Raçi siguron mbijetesën e Prishtinës në sekondat e fundit!
17 May, 2025 @23:55
22-vjeçari Ron Raçi është treguar vendimtar, ndërsa Prishtina ka siguruar mbijetesën edhe matematikisht në Superligë me fitoren e shënuar në momentet e fundit të ndeshjes ndaj Feronikelit’74.
Raçi, përkundër se mbrojtës, ka qenë në vendin e duhur në moment të duhur, për të shënuar në portën e deri në ato momente, të shkëlqyeshmit Simone Moschin në portën e Feronikelit’74. Ai ka shënuar nga anash, pas tollovisë në zonë, kur shtylla shpëtoi vendasit.
Sa i përket lojës, Prishtina dominoi me plot raste përgjatë ndeshjes, si në pjesë të parë ashtu edhe në të dytën. Në anën tjetër, Feronikeli’74 i drejtuar nga Granit Dervisholli, zuri në tre momente prishtinasit prej kundërsulmit me mundësi ideale për të shënuar, por në dy rastet Agron Kolaj mbrojti, ndërsa te njëra, prej gjysmës së fushës, Hasan Hyseni u tregua jo i saktë pas tentim parabolimi të jashtëzakonshëm!
Në fund, Feronikeli’74 - Prishtina 0-1 [Ron Raçi 90’+5], në ndeshjen ku prej vendasve u përshëndet kapiteni dhe legjenda e klubit Lapidar Lladrovci, derisa Feronikeli’74 në stinorin tjetër do të jetë pjesë e Ligës së Parë.
Pas 35 ndeshjes, një para fundit të stinorit 2024/25, Feronikeli’74 në pozitë të dhjetë (të fundit) ka vetëm 15 pikë. Prishtina në anën tjetër siguroi mbijetesën me fitore, pasi që tash ka 47 pikë, 3 më shumë sesa Llapi që është në pozitë të tetë. Prishtina si e shtata, ka rezultate më të mira ndaj Llapit në duele të ndërmjeme, prandaj Llapi maksimalisht do të jetë në barazh (si pozita e tetë).